Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka hedhur poshtë deklaratën e Albatros Rexhajt, i cili pohonte se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në takimin me kryeministrin Albin Kurti, kishte kërkuar tri ministri.
Gjatë një paraqitjeje në emisionin “Pressing” në T7, Sadiku theksoi se “një informacion i tillë nuk i është përcjellë Grupit Parlamentar të LDK-së, përveç objektivit për të gjetur një zgjidhje”, referuar çështjes së zgjedhjes së Presidentit.
Sadiku vazhdoi me një notë ironike, duke deklaruar: “Do të duhej t’i kërkonim të gjitha ministritë, 22 apo sa janë? Nuk besoj se do të duhej pranuar diçka të tillë me vetëm tri ministri…”. Ai sqaroi më tej se “nuk është diskutuar diçka e tillë; ka qenë një takim i mbyllur mes Kurtit dhe Abdixhikut”. “Tek ne nuk është përcjellë një informacion i tillë; është përcjellë detyra që ne, si Grup Parlamentar, të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje”, përfundoi Sadiku gjatë intervistës në “Pressing”, siç transmetohet nga Express.
