**Deputetja Ymeri kritikon kostot e importit të rrymës: 124 mijë euro në orë**

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me importin e vazhdueshëm të energjisë elektrike, duke theksuar se Kosova po importon energji çdo orë të ditës.

Përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, Ymeri ka shpjeguar se në orët e pikut të konsumit, importi pritet të arrijë në 436 MWh. Ajo ka theksuar se vetëm për një orë, kostoja, bazuar në çmimin e bursës HUPX dhe pa përfshirë shpenzimet e bartjes, arrin në rreth 124 mijë euro.

Ymeri ka shtuar se, siç është konfirmuar edhe nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), KEDS dhe KESCO e blejnë energjinë përmes tregtarëve. Për pasojë, çmimi përfundimtar për konsumatorët do të jetë i qartë vetëm pas shqyrtimit të tarifave të reja të energjisë elektrike.

Deputetja e LDK-së ka kritikuar ashpër Qeverinë për shpenzimet e mëdha në importin e energjisë. Ajo ka deklaruar se me këto fonde do të mund të bliheshin shtretër dhe çarçafë për spitalet e vendit. “Me këto para do të mund të bliheshin shtretër e çarçafë për spitalet, por Qeveria i ka parashikuar ato për blerjen e rrymës,” ka theksuar Ymeri në postimin e saj.