**Anëtari i OSHP-së Vedat Potërqoi injoroi rekomandimin e ekspertit, la në fuqi tenderin e kontestuar**

Analisti Dibran Hoxha ka denoncuar sërish një vendim të dyshimtë të anëtarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Vedat Potërqoi. Hoxha thekson se Potërqoi, si kryesues i panelit, ka lënë në fuqi një vendim të paligjshëm të komunës së Vushtrrisë, pavarësisht shkeljeve të konstatuara në një procedurë tenderi.

Sipas raportimit të analistit, ky është Vedat Potërqoi, anëtar i Bordit të OSHP-së, i cili drejtoi panelin vendimmarrës për tenderin e kontestuar në Vushtrri. Më herët, Hoxha ka raportuar për lidhjet tregtare mes kompanisë së drejtorit të Prokurimit, Ilmi Azemi, dhe operatorit ekonomik “S.V. Veterina”.

Një ekspert i angazhuar për rastin kishte rekomanduar anulimin e plotë të procedurës së prokurimit, duke theksuar se asnjëri prej dy ofertuesve nuk i përmbushte kriteret e kërkuara. Megjithatë, paneli i kryesuar nga Potërqoi vendosi ndryshe, duke lënë në fuqi vendimin e komunës që rekomandonte “Veterina”-n për një kontratë në vlerë prej 51,464 eurosh.

Hoxha e ka përmbyllur reagimin e tij me një thirrje publike: “Mos u bëj si Vedati. Ruaje paranë publike.”