Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, ka kërkuar që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke thënë se kjo është vonuar për një kohë të gjatë, raporton Ekonomia Online.
Kurti ka rikujtuar se në mesin e dhjetorit bëhen katër vjet nga aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, ndërsa ka theksuar se Kosova është i vetmi vend që ende nuk e ka marrë statusin e kandidatit.
Ai ka thënë se Kosova nuk po kërkon privilegj apo favor, por njohjen e progresit në demokraci, rritje ekonomike, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, të drejtat politike dhe liritë civile.
“Sa i përket Republikës së Kosovës, ne po presim marrjen e statusit të vendit kandidat për vendin tonë. Kjo është vonuar tashmë për një kohë të gjatë. Në mesin e dhjetorit bëhen katër vjet që kur kemi aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Personalisht, në Pragë të Republikës Çeke, gjatë presidencës së saj, ia kam dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE. Ne jemi i vetmi vend që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat. Ne nuk po kërkojmë shpërblim, privilegj apo favor. Po kërkojmë vetëm vlerësimin dhe njohjen e progresit të Kosovës në avancimin demokratik, rritjen ekonomike, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, të drejtat politike dhe liritë civile. Sa u përket indekseve demokratike, ne jemi ose në vendin e parë ose të dytë në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Kurti.
Kreu i Qeverisë ka theksuar se marrja e statusit të vendit kandidat tashmë është çështje urgjente, duke kërkuar që të shfrytëzohet momenti aktual për zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Në të njëjtën kohë, dëshiroj të theksoj se, ndonëse statusi i vendit kandidat ka qenë gjithmonë shumë i rëndësishëm, tani është bërë çështje urgjente. E dimë se pothuajse çdo muaj mbahen zgjedhje në një shtet të ndryshëm të kontinentit tonë dhe çdo gjë ka rëndësi. Prandaj, duhet ta shfrytëzojmë këtë dritare të mundësive për zgjerimin e BE-së, për përfshirjen e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe, në veçanti, për dhënien e statusit të vendit kandidat Republikës së Kosovës, si çështje meritash, pasi që ne padyshim e meritojmë”, ka thënë ai.
Kurti ka bërë të ditur se për të ecur përpara drejt marrjes së statusit të kandidatit, fillimisht Këshilli Evropian duhet t’i kërkojë Komisionit Evropian një opinion për Kosovën.
“Për të arritur deri në këtë pikë, fillimisht na nevojitet që Këshilli Evropian t’i kërkojë Komisionit Evropian një opinion për Kosovën. Pra, ne nuk mund ta marrim përgjigjen e Komisionit Evropian pa kërkesën paraprake të Këshillit Evropian. Shpresojmë që kjo të ndodhë muajin e ardhshëm, kur më 14 dhe 15 dhjetor mbahet takimi i radhës i Këshillit Evropian”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka falënderuar shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për mbështetjen ndaj Kosovës në aspektin e paqes, sigurisë, demokracisë dhe zhvillimit, ndërsa ka përmendur edhe rritjen ekonomike prej 4.7 për qind në gjysmën e parë të vitit 2026.
“Dëshiroj t’i falënderoj të gjitha shtetet anëtare të BE-së për mbështetjen ndaj Kosovës, si në aspektin e paqes dhe sigurisë, ashtu edhe në demokraci dhe zhvillim. Kemi pasur një vit të jashtëzakonshëm. Në gjysmën e parë të vitit 2026, rritja ekonomike ka arritur në 4.7 për qind të Bruto Produktit Vendor. Ndërsa, pas zgjedhjes së presidentes së re, kemi stabilitet të plotë institucional për vitet në vijim”, ka thënë ai.
Në fjalën e tij, Kurti ka kërkuar edhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, veçanërisht të marrëveshjes për mobilitetin, me qëllim të njohjes së diplomave dhe mundësimit të lëvizjes së lirë të studentëve dhe profesionistëve në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor.
“Ajo që na nevojitet në veçanti është zbatimi i plotë i marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, sidomos i marrëveshjes për mobilitetin, në mënyrë që të mundësohet njohja e diplomave dhe lëvizja e lirë e studentëve dhe profesionistëve, si dhe integrimi i tyre në tregun e punës në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri ka folur edhe për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke kërkuar nga Serbia arrestimin dhe dorëzimin e Milan Radoiçiqit, të cilin e ka cilësuar terrorist.
“Sa i përket sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nevojitet që Serbia ta arrestojë dhe ta dorëzojë terroristin kryesor Milan Radoiçiq, i cili së bashku me 44 bashkëpunëtorët e tij paramilitarë i zunë pritë dhe vranë rreshterin Afrim Bunjaku në shtator të vitit 2023. Gjatë mandatit të ish-presidentit të Serbisë, z. Vuçiq, ai lëvizte i lirë në Serbi, madje ishte më i afërt me ish-presidentin Vuçiq sesa pjesëtarët e tij të sigurimit të afërt. Tani shpresojmë që kjo të ndryshojë. Ne duhet ta mbrojmë shoqërinë nga kriminelët dhe, në të njëjtën kohë, duhet t’i zbatojmë vlerat e Bashkimit Evropian dhe jo ta trajtojmë atë vetëm si çështje të interesit të ndërsjellë”, ka thënë Kurti.
Në fund, Kurti ka theksuar se Kosova i përmbahet parimeve evropiane, duke përmendur edhe zbatimin e sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë pas agresionit ndaj Ukrainës.
“Gjëja e fundit që dëshiroj të përmend është se Kosova i përmbahet plotësisht parimeve evropiane, përfshirë vendimet për pranimin dhe zbatimin e të gjitha pakove të sanksioneve kundër Federatës Ruse, pas agresionit të saj brutal ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022”, ka përfunduar Kurti.

