Një mosmarrëveshje mes fqinjëve në Prishtinë ka eskaluar në sulm fizik dhe kërcënime, duke përfunduar me ndërhyrjen e Policisë dhe ndalimin e njërit prej të dyshuarve për 48 orë.
Ngjarja ka ndodhur të enjten, më 26 nëntor, rreth orës 12:50, në rrugën “Shaban Shala” në kryeqytet.
Sipas burimeve të Sinjalit, ankuesit janë N.B, rreth 59 vjeç dhe bashkëshortja e tij, S.B, ndërsa të dyshuarit janë A. Berisha dhe A. Berisha.
Pas pranimit të informatës për mosmarrëveshjen, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë takuar palët, të cilat më pas janë shoqëruar në Stacionin Policor Veriu për intervistim.
Para hetuesve, N. B. ka deklaruar se ishte sulmuar fizikisht nga Alban Berisha, i cili dyshohet se e kishte goditur me kokë dhe me një fshesë dore.
Ndërkaq, Adnan Berisha dyshohet se e kishte kërcënuar dhe ofenduar 59-vjeçarin.
N.B. nuk ka pranuar të marrë trajtim mjekësor, ndërsa Alban Berisha është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale “Sulmi” dhe “Kanosja”.
Me vendim të Prokurorit, Alban Berisha është ndaluar për 48 orë.
