Gjermania dhe Austria kërkojnë pronësi evropiane për TikTok

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Evropa po kërkon të marrë kontrollin e veprimtarive të TikTok. Gjermania dhe Austria kanë propozuar që pjesa evropiane e platformës kineze të kalojë nën pronësi evropiane, duke argumentuar se legjislacioni ekzistues nuk mjafton për të garantuar sigurinë e të dhënave dhe kontrollin mbi algoritmet e saj.

Kjo nismë u prezantua pas një takimi të zhvilluar në Vjenë midis ministrit gjerman të Kulturës dhe Medias, Wolfram Weimer, dhe sekretarit austriak të Shtetit për Digjitalizimin, Alexander Pröll.

Dy vendet kërkojnë kontroll evropian jo vetëm mbi kapitalin e kompanisë, por edhe mbi infrastrukturën teknologjike, duke përfshirë algoritmin që rekomandon përmbajtjet dhe aksesin te të dhënat e përdoruesve.

TikTok numëron rreth 200 milionë përdorues në Evropë, ndërsa afërsisht një e treta e popullsisë së Gjermanisë dhe Austrisë përdor platformën. Kjo e ka kthyer atë në një mjet të rëndësishëm për formimin e opinionit publik, veçanërisht mes të rinjve.

Gjermania dhe Austria synojnë të sigurojnë mbështetjen e vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian në mbledhjen e Këshillit të Telekomunikacionit, e cila do të mbahet më 2 dhjetor në Bruksel.

Më 6 nëntor, Komisioni Evropian arriti në përfundimin paraprak se TikTok kishte shkelur Aktin e Shërbimeve Digjitale (DSA), për shkak të mënyrës sesi algoritmi i platformës i ekspozon përdoruesit ndaj përmbajtjeve potencialisht të dëmshme.

**Evropa kërkon të ndjekë modelin amerikan**

Në janar të këtij viti, ByteDance, kompania kineze që zotëron TikTok, ia transferoi kontrollin e veprimtarive amerikane një sipërmarrjeje të përbashkët me shumicë pronësie amerikane, për të shmangur ndalimin e platformës në SHBA. Gjermania dhe Austria argumentojnë se një model i ngjashëm mund të forcojë sovranitetin digjital të Evropës.

**TikTok kundërshton propozimin**

TikTok e ka kundërshtuar këtë nismë, duke argumentuar se ajo shpërfill kuadrin rregullator evropian dhe programin e kompanisë për sigurinë e të dhënave, “Project Clover”, me një investim prej 12 miliardë eurosh. Kompania thekson se veprimtaritë e saj evropiane menaxhohen nga entitete të regjistruara në Irlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Sipas TikTok, shumica e aksioneve të kompanisë mëmë, ByteDance, zotërohen nga investitorë institucionalë ndërkombëtarë, ndërsa qeveria kineze nuk zotëron aksione në kompani.

/EURONEWS.