Nicolo Tresoldi është shndërruar në një prej talenteve më premtuese të futbollit gjerman në repartin ofensiv, pasi ka tërhequr vëmendjen me paraqitjet e tij te Club Brugge.

Ish-sulmuesi i Hannoverit ka realizuar 39 gola në 77 ndeshje zyrtare për Club Brugge, që prej transferimit te klubi belg në vitin 2025.

Si rezultat, Tresoldi është shndërruar në objektiv të disa klubeve të mëdha evropiane, përfshirë Bayern Munichun dhe Barcelonën.

Sipas “Bild” (përmes “Diario SPORT”), Bayern Munich nuk ka ndërmend të presë dhe i ka intensifikuar përpjekjet për transferimin e Tresoldit.

Gjiganti bavarez ka bërë hapa përpara dhe tashmë është në bisedime me përfaqësuesit e lojtarit, duke shqyrtuar mundësinë e transferimit të tij në “Allianz Arena” në të ardhmen e afërt.

Tresoldi ishte një prej lojtarëve më të vlerësuar nga Nils Schmadtke, shefi i skautimit te Bayern Munichu. Edhe pse Schmadtke do të largohet nga klubi në janar, kjo nuk do t’i ndalë bavarezët të vazhdojnë ndjekjen e sulmuesit gjerman.

Gjiganti gjerman po kalon një sezon të vështirë deri më tani. Skuadra ka hasur vështirësi për të gjetur ekuilibrin e duhur dhe tashmë është përballur edhe me lëndimin e Harry Kane. Për këtë arsye, klubi mund ta mirëpriste afrimin e një zëvendësuesi afatgjatë për sulmuesin 33-vjeçar.

Derisa Bayern Munich po përgatit terrenin për transferimin e Tresoldit në verën e vitit 2027, Barcelona po qëndron në pritje.

Klubi katalunas nuk ka bërë ende ndonjë përpjekje serioze për ta transferuar sulmuesin e Club Brugge. Deri më tani, vetëm ka dërguar skautë për ta përcjellë nga afër zhvillimin e tij në Belgjikë.

Një prej pengesave kryesore për Barcelonën do të jetë çmimi i Tresoldit, pasi Club Brugge e vlerëson atë rreth 60-70 milionë euro.

Klubi belg kishte refuzuar tashmë një ofertë prej 35 milionë eurosh nga Roma gjatë verës dhe synon që pjesën më të madhe të të ardhurave nga shitja e Tresoldit ta përdorë për financimin e stadiumit të tij.

Bayern Munich është në dijeni të situatës dhe tashmë ka zhvilluar kontaktet e para. Tashmë i mbetet Barcelonës të ndërmarrë hapa konkretë, megjithëse ajo nuk është klubi i vetëm që interesohet për talentin e Club Brugge.

Edhe Arsenal dhe AC Milan janë të interesuar për shërbimet e Tresoldit, i cili synon ta bëjë hapin e radhës në karrierën e tij.