Diana Vickers, e njohur nga The X Factor, luan Wendy-n në një ripunim të përrallës së J. M. Barrie-t, ku Bota e Kurrkundit bëhet klub nate dhe publiku këndon bashkë me aktorët.
Çfarë do të bëhej Peter Pan, po të vazhdonte të refuzonte të rritej? Ndoshta do të organizonte mbrëmje në një klub nate, duke rijetuar vitet e lavdisë. Të ftuarit do të visheshin sikur Girls Aloud të ishin takuar me Vengaboys dhe, për disa orë, bota jashtë do të dukej po aq e largët sa problemet e së nesërmes.
Ky është klubi NVRLND, skena e shfaqjes së krijuar nga Steven Kunis dhe Jack Holden. Diku mes një muzikali të ndërtuar mbi hite të njohura dhe një diskoteke me gjithë teprimet e veta, shfaqja duket e bërë për festat e fundvitit në zyrë, kur pas një kokteji tepër të ëmbël përfundon duke i treguar jetën një kolegu të financës që mezi e njeh.

Në thelb, është një pantomimë për brezat që u rritën me pop-in e viteve 2000, me publikun që merr pjesë nga parketi i vallëzimit. Pas një fillimi që kërkon pak kohë për të marrë hov, mbrëmja bëhet jashtëzakonisht argëtuese.
Vickers, konkurrente e The X Factor në vitin 2008, është një zgjedhje e goditur për rolin e Wendy-t. Ajo hyn me fustan nusërie, pasi sapo e ka braktisur në altar një të fejuar që nuk e shohim kurrë. Tiger Lily, e luajtur nga Le Fil, e ngushëllon dhe e mirëpret në klub. Shpejt, Wendy përfshihet në jetën e natës mes Djemve të Humbur, rol që i takon publikut, dhe takohet me dashurinë e saj të dikurshme, Peter-in, të luajtur nga George Renshaw. Halet e çiftit kalojnë në plan të dytë kur Krokodili dhe Kapiten Grepi u vihen pas për t’u marrë qiranë.
Historia lidhet me zgjuarsi me tekstet e hiteve, nga It’s My Life e Bon Jovit te Crazy e Gnarls Barkley-t. Nën rrëmujën e qëllimshme të festës, shfaqja ka strukturë të saktë dhe interpretime të disiplinuara. Valltarët e mbushin skenën me energji, ndërsa dialogu dhe koreografia marrin hua nga kultura queer e ballroom-it. Vickers këndon me forcë, po aq bindëse është Ceili O’Connor në rolin e DJ Tink, ndërsa publiku i bashkohet me zë të lartë refreneve të Sk8er Boi të Avril Lavigne dhe Toxic të Britney Spears.
Shfaqja të kujton sa shumë varet nga mosha mënyra si e përjetojmë kulturën pop. Mjaftojnë pak vite diferencë që një këngë e Coldplay-t të jetë për dikë një përvojë gati shpirtërore, ndërsa dikush tjetër të rrotullojë sytë kur sheh gjithë ata telefona të ngritur me dritat ndezur. Sa më shumë të përfshihesh, aq më shumë e shijon mbrëmjen. Për disa orë, hitet e rinisë ta bëjnë të lehtë arratisjen. Edhe në NVRLND, megjithatë, rritja mund të shtyhet vetëm për pak./GazetaExpress/
