Presidentja Justina Shiroka-Pula ka uruar Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, duke thënë se 28 Nëntori është dita kur historia, krenaria dhe identiteti kombëtar marrin kuptim të veçantë.

“Më 1912, në Vlorë, Ismail Qemali ngriti flamurin kuq e zi dhe shpalli Shqipërinë të lirë e të pavarur. Një akt historik që kurorëzoi përpjekjet dhe sakrificën e brezave që luftuan për lirinë e atdheut. Sot, flamuri me shqiponjën dykrenare valëvitet me krenari kudo ku jetojnë shqiptarët. Ai na bashkon përtej kufijve shtetërorë dhe na kujton rrënjët, gjuhën, historinë dhe identitetin që na lidh përgjithmonë”.

Shiroka-Pula nderoi sakrificën e atyre që luftuan dhe sakrifikuan për këtë ditë.

“Krenari për flamurin që na bashkon. Përgjegjësi për ta ruajtur dhe përcjellë këtë trashëgimi te brezat që vijnë. Gëzuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë!”.