Përshkallëzimi i një proteste në Tiranë ka çuar në përplasje të dhunshme mes demonstruesve dhe forcave të rendit, duke lënë një person të lënduar dhe duke shënuar nisjen e shoqërimeve policore. Demonstruesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij qeveritar.

Pas marshimit, tensionet u përqendruan para Kryeministrisë. Atje, protestuesit filluan të hidhnin gurë dhe kokteje molotovi në drejtim të policisë. Përgjigja e uniformave blu ishte ujë me presion dhe gaz lotsjellës.

Si pasojë e përplasjeve, një protestues është lënduar dhe është transportuar me ambulancë drejt spitalit, sipas raportimeve të Top Channel.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë një shesh të mbuluar nga tymi i gazit lotsjellës, spërkatjet e ujit dhe shpërthimet e molotovëve.

Ndërkohë, burime si Shqiptarja.com bëjnë me dije se Policia e Shtetit ka nisur tashmë shoqërimet e para të protestuesve.