Jose Mourinho insiston se nuk dëshiron që asnjë futbollist të largohet apo t’i bashkohet Real Madridit gjatë afatit kalimtar të janarit, por sipas “La Gazzetta dello Sport”, Milani ende shpreson ta transferojë Endrickun gjatë dimrit.

Gjiganti italian vazhdon të jetë i interesuar për talentin brazilian dhe synon ta konkretizojë transferimin e tij në javët e ardhshme, pavarësisht deklaratave të fundit të Mourinhos.

Trajneri i Real Madridit, në konferencën për media të së premtes, bëri të qartë se nuk dëshiron asnjë largim apo transferim të ri gjatë afatit kalimtar të janarit.

“Nuk dua që askush të vijë apo të largohet gjatë afatit kalimtar. Nuk dua që dikush të largohet apo të bashkohet me skuadrën. Dera është e mbyllur. Nuk dua të flitet për transferime”, deklaroi Mourinho.

Megjithatë, sipas “La Gazzetta dello Sport”, shpresat e Milanit për transferimin e Endrickut mbeten të gjalla, veçanërisht për faktin se braziliani po luan shumë pak nën drejtimin e Mourinhos këtë sezon.

20-vjeçari aktualisht është jashtë fushave për shkak të një lëndimi, ndërsa mediumi italian raporton se ai e preferon kalimin te Milani.

Agjentët e tij pritet të takohen me drejtuesit e Real Madridit gjatë javëve të ardhshme, për t’i bërë të ditur klubit se klienti i tyre dëshiron të largohet në kërkim të më shumë minutave në fushën e lojës.

Mbetet të shihet nëse kjo do të mjaftojë për ta bindur Real Madridin që ta lejojë largimin e Endrickut, i cili përfaqësohet nga Roc Nation Sports, një kompani amerikane që ka marrëdhënie shumë të mira me pronarin e Milanit, Gerry Cardinale.

Ky i fundit nuk e ka fshehur admirimin për talentin brazilian. Madje, së fundmi e ka cilësuar atë si “njërin prej futbollistëve më të mirë në botë në pozitën e tij”.

Shpresat e Milanit mund të rriten edhe për faktin se Real Madridi nuk planifikon ta shesë Vinicius Juniorin, pavarësisht interesimit të Paris Saint-Germainit.

Nëse braziliani vazhdon të qëndrojë në “Santiago Bernabeu” edhe pas janarit, Endricku do ta ketë edhe më të vështirë të sigurojë më shumë minuta te “Los Blancos”, duke i dhënë Milanit mundësi më të mëdha për ta realizuar transferimin e tij./GazetaExpress/