Barcelona ka marrë një lajm të mirë para ndeshjes kundër Deportivo de La Corunas, pasi mesfushori kryesor Rodri është rikthyer në skuadër.

Përforcimi i verës, 30-vjeçari, pësoi një lëndim në ndeshjen kundër Aston Villas dhe që atëherë kishte munguar në përballjet ndaj Atletico Madridit, Villarrealit dhe së fundmi Sabah FK-së.

Megjithatë, pasi të premten u rikthye në stërvitjet me grupin, ai është shpallur plotësisht i gatshëm dhe është përfshirë në listën e lojtarëve që po udhëtojnë drejt A Corunas për ndeshjen e nesërme në La Liga.

Ky është një lajm shumë i rëndësishëm për Barcelonën, duke marrë parasysh peshën dhe ndikimin që fituesi i Kupës së Botës ka pasur që nga transferimi i tij nga Manchester City.

Edhe pse mungesa e Rodrit nuk e ka penguar Barcelonën të marrë fitore, statistikat tregojnë se skuadra ka humbur një pjesë të kontrollit dhe rrjedhshmërisë në lojë, elemente që janë bërë karakteristike për stilin e preferuar të Hansi Flickut.

Barcelona regjistron mesatarisht 702.79 pasime për ndeshje kur Rodri është në fushë, krahasuar me 626.5 pasime në mungesë të tij. Edhe saktësia e pasimeve rritet, nga 89.78 për qind në 90.43 për qind.

Statistikat gjithashtu hedhin poshtë idenë se Rodri preferon pasimet e sigurta dhe anësore në vend të lojës përpara dhe progresit në sulm.

Katalanasit realizojnë mesatarisht 71.36 pasime drejt zonës së tretë të fundit të fushës me fituesin e Topit të Artë 2024 në skuadër, krahasuar me 59.5 pa të. Dallimi vërehet edhe te pasimet drejt zonës së penalltisë, ku shifrat janë përkatësisht 24.36 dhe 19.25.

Më e rëndësishmja, “Blaugrana” janë dukshëm më të saktë në pasimet drejt zonës së rreptësisë. Përqindja e suksesit rritet nga 38.96 për qind pa Rodrin në 51.61 për qind kur ai luan.

Edhe statistikat sulmuese tregojnë një tendencë të ngjashme. Barcelona shënon mesatarisht 3.79 gola për ndeshje me mesfushorin në fushë, krahasuar me 3.25 gola në mungesë të tij. Gjithashtu, skuadra regjistron një përqindje më të lartë të ndeshjeve pa pranuar gol, 28.57 për qind kundrejt 25 për qind.

Flick e ka theksuar vazhdimisht aftësinë e Rodrit për t’i kontrolluar ndeshjet dhe për t’i përmirësuar lojtarët përreth tij. Ndikimi dhe qetësia që ai sjell në fushë janë ndier veçanërisht në ndeshjet e fundit, kur nuk ka qenë në dispozicion.

Në dy nga tri ndeshjet që Rodri i ka humbur pas lëndimit, Barcelona është detyruar të përmbysë rezultatin pasi ka pësuar gol e para, kundër Atletico Madridit dhe Villarrealit.

Këto përballje nxorën në pah momentet kur kampionëve të La Ligës u mungoi qetësia dhe kontrolli që Rodri zakonisht i jep mesfushës.

Prandaj, rikthimi i tij në skuadër para ndeshjeve të rëndësishme kundër Deportivo de La Corunas, Atletico Madridit dhe Manchester Cityt është një përforcim i madh për Flickun dhe Barcelonën./GazetaExpress/