19 vjet nga shpallja e pafajësisë: Kthimi i Fatmir Limajt pas vendimit të Hagës

Më 30 nëntor 2005, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fatmir Limaj, i njohur edhe me nofkën “Çeliku”, u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, lidhur me akuzat për krime lufte.

Ai, si njëri ndër komandantët e UÇK-së, u shpall i pafajshëm pas një procesi gjyqësor që zgjati një vit, duke u liruar nga aktakuzat e ngritura ndaj tij.

Limaj, i cili asokohe mbante postin e deputetit në legjislaturën e parë të Kuvendit të Kosovës dhe ishte shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, ishte arrestuar nga Tribunali i Hagës në shkurt të vitit 2003, po ashtu nën akuzat për krime lufte.

Një ditë më vonë, më 1 dhjetor 2005, Fatmir Limaj mbërriti në Aeroportin e Prishtinës, ku u prit nga liderë të lartë politikë dhe ish-bashkëluftëtarë të tij. Ndër ta ishin: Hashim Thaçi, Azem Syla, Sylejman Selimi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Ramë Buja dhe Agim Çeku.

Po ashtu, mijëra qytetarë kishin dalë për ta mirëpritur dhe festuar, duke e cilësuar këtë vendim si një fitore të drejtësisë ndërkombëtare dhe një konfirmim të pastërtisë së luftës së UÇK-së.