**Arrestohet i dyshuari i tretë për komplot vrasjeje të rëndë, u kap në pikë kufitare**
**PRISHTINË – Policia e Kosovës ka njoftuar arrestimin e personit të tretë të dyshuar në lidhje me rastin e përgatitjes së një vrasjeje të rëndë dhe posedimit të paautorizuar të armëve.**
Arrestimi i këtij personi, i cili ishte në kërkim policor, u krye sot rreth orës 04:30 të mëngjesit në pikën kufitare në Han të Elezit, teksa ai po hynte në Republikën e Kosovës.
Pas identifikimit dhe ndërmarrjes së veprimeve procedurale të nevojshme, i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Me ndalimin e tij, numri total i personave të dyshuar të arrestuar në kuadër të këtij rasti shkon në tre. Hetimet dhe veprimet operative po vazhdojnë në koordinim të ngushtë ndërmjet Policisë së Kosovës, Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Rasti në fjalë lidhet me përgatitjen e një vrasjeje të rëndë në Prishtinë. Më herët, ishte bërë e ditur se pesë persona dyshohen për përfshirje në këtë plan, dy prej të cilëve ishin arrestuar më parë, dhe viktima e synuar ishte intervistuar nga organet e rendit.
