**Aksion i Koordinuar Polici-AKI: Arrestohet i Treti i Dyshuar në Han të Elezit për Planifikim Vrasjeje të Rëndë**

Policia e Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) kanë arrestuar personin e tretë të dyshuar në kuadër të hetimeve për përgatitje të vrasjes së rëndë në bashkëpunim dhe posedim të paautorizuar të armëve.

Arrestimi u bë mëngjesin e 29 nëntorit, rreth orës 04:30, në pikën kufitare në Han të Elezit, teksa i dyshuari po hynte në territorin e Kosovës. Ai ishte në kërkim nga policia lidhur me këtë rast.

Pas identifikimit dhe përfundimit të procedurave të nevojshme, i dyshuari u dërgua në mbajtje me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Me arrestimin e tij, numri i personave të ndaluar në kuadër të këtij rasti arrin në tre.

Hetimet vazhdojnë në koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës, Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

/IndeksOnline/