**Ndalohet i dyshuari i tretë për përgatitje vrasjeje të rëndë në Prishtinë, AKI përfshihet në hetime**
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndaluar edhe personin e tretë të dyshuar në kuadër të një operacioni të vazhdueshëm për një rast të dyshuar përgatitjeje vrasjeje të rëndë dhe posedimi pa leje të armëve. Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) po merr pjesë gjithashtu në këtë hetim.
Arrestimi i tij u bë sot, rreth orës 04:30 të mëngjesit, në pikën kufitare në Han të Elezit, gjatë hyrjes në Republikën e Kosovës. Policia bëri të ditur se i dyshuari ishte në kërkim aktiv në lidhje me këtë rast.
Pas identifikimit dhe përfundimit të procedurave të nevojshme, i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Me këtë ndalim, numri i personave të dyshuar të arrestuar në këtë rast shkon në tre. Hetimet dhe veprimet operative po vazhdojnë në koordinim të ngushtë ndërmjet Policisë së Kosovës, Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
