Deputetja e PDK-së, Hykmete Bajrami, ka kundërshtuar deklarimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për dyfishimin e eksporteve, duke iu referuar të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Në një postim në Facebook, Bajrami ka krahasuar të dhënat e eksporteve dhe importeve për vitet 2020, 2021 dhe 2025, duke thënë se shifrat nuk përputhen me pretendimin e paraqitur në raportin e Kurtit.

Ajo ka theksuar se në vitin 2020 Kosova kishte eksportuar 474.9 milionë euro, ndërsa importet kishin arritur në 3.30 miliardë euro. Në vitin 2021, eksportet ishin 755.7 milionë euro, kurse importet 4.68 miliardë euro.

Ndërsa në vitin 2025, sipas të dhënave që ka publikuar Bajrami, eksportet arritën në 942.1 milionë euro, kurse importet në 7.06 miliardë euro.

Bajrami ka vënë në pah edhe raportin eksport-import, i cili sipas saj ishte 1:6.94 në vitin 2020, 1:6.20 në vitin 2021 dhe 1:7.49 në vitin 2025.

“Në faqen 9 të raportit të Kurtit thuhet: “Dyfishim i eksporteve: Përmirësuam ndjeshëm raportin eksport-import, duke e ngritur nga 1:9 në 1:6,6”.

Por, shihni çka tregojnë të dhënat nga ASK-ja:

Në vitin 2020 , Kosova ka eksportuar  474,9 milionë euro, ka importuar 3,30 miliardë euro, ndërsa deficiti tregtar ka qenë 2,82 miliardë euro . Raporti eksport-import ka qenë  1:6,94.

Në vitin 2021, Kosova ka eksportuar 755 milionë euro, ka importuar 4,68 miliardë euro,ndërsa deficiti tregtar ka qenë 3,93 miliardë euro. Raporti eksport-import ka qenë 1:6,20.

Ndërsa shihni çka ka ndodhur në vitin 2025: Kosova ka eksportuar 942,1 milionë euro, ka importuar  7,06 miliardë euro, ndërsa deficiti tregtar ka arritur në 6,11 miliardë euro . Raporti eksport-import është 1:7,49″, ka thënë Bajrami.

Ajo ka pyetur se ku qëndron përmirësimi i pretenduar, kur raporti eksport-import në vitin 2025, sipas saj, është më i pafavorshëm sesa në vitet paraprake.

“Pra, para se ta merrnit mandatin, raporti eksport-import ishte 1:7, ndërsa në vitin 2025 ishte 1:7,5.

Ku është përmirësimi për të cilin po flisni, krahasuar me vitin 2020 ose 2021?

Të gjitha të dhënat janë zyrtare nga ASK/ASKdata” , ka shkruar ajo.

Postimi i plotë: