**Bytyqi (AAK) kërkon heqjen e afateve dhe zgjidhjen e pensionit të dyfishtë për të mbijetuarit e dhunës**
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, gjatë fjalës së saj në Kuvend, shprehu solidaritetin dhe mbështetjen për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës.
Ajo kërkoi heqjen e afateve për aplikim, zgjidhjen ligjore të çështjes së pensionit të dyfishtë për të mbijetuarit e luftës, si dhe rritjen e presionit institucional për ndjekjen penale të autorëve të këtyre krimeve.
Bytyqi theksoi se dhuna e ushtruar ndaj grave dhe burrave të mbijetuar ishte pjesë e një strategjie të qëllimshme të regjimit serb, me qëllim thyerjen e dinjitetit të popullit shqiptar.
“Sot ju drejtohemi ju, grave dhe burrave që i keni mbijetuar dhunës seksuale; ajo që ju ndodhi ishte një strategji e qëllimshme, e përdorur nga regjimi serb për të thyer dinjitetin tonë”, tha ajo.
“Për shumë vite, të dashur vëllezër e motra, jetuat në heshtje, e cila nuk ishte zgjedhje, por detyrim, e shkaktuar nga stigma dhe mungesa e mbështetjes”, shtoi deputetja.
