Haradinaj: 25 Marsi 1999 shënon një nga ditët më të dhimbshme të historisë sonë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, përkujtoi masakrën e kryer nga regjimi serb në fshatrat Celinë, Fortesë dhe Brestoc të komunës së Rahovecit, në 25-vjetorin e saj.
Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Haradinaj theksoi se 25 Marsi 1999 është një datë me dhimbje të thellë për kombin. Ai kujtoi se regjimi kriminal i Millosheviqit masakroi mizorisht fëmijë, gra dhe pleq të pafajshëm, duke lënë plagë të pashlyeshme në kujtesën kolektive.
Në postimin e tij të plotë, Haradinaj shkroi:
“Ata janë dëshmia më e mirë se sa e shtrenjtë është liria dhe do të jetojnë përgjithmonë në kujtesën historike të popullit tonë.
25 Marsi 1999 shënon një nga ditët më të dhimbshme të historisë sonë. Regjimi kriminal i Millosheviqit masakroi fëmijë, gra e pleq të pafajshëm, duke lënë plagë të pashlyeshme në kujtesën tonë kolektive.
Sot, në përkujtim të kësaj sakrifice, ndajmë dhimbjen me familjarët që kujtojnë më të dashurit e tyre: 75 të rënët në Celinë, 68 në Fortesë dhe 54 në Brestoc.
Plagët e asaj kohe mbeten të hapura, ndërsa kujtimi i viktimave na obligon të mos harrojmë kurrë dhe të kërkojmë drejtësi.
Lavdi të rënëve.”
