Presidentja Osmani Pret Sqarim nga Gjykata Kushtetuese Për Emërimet në KQZ
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është prononcuar sot në lidhje me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga partitë politike.
Osmani theksoi se arsyeja pse ka kërkuar sqarim nga Gjykata Kushtetuese për këtë çështje është se partitë politike kanë propozuar më shumë anëtarë sesa numri i lejuar nga Kushtetuta.
Ajo sqaroi se Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar emërimin e tre anëtarëve, por janë emëruar vetëm dy. Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar dy anëtarë, nga të cilët është emëruar vetëm një. Kjo situatë ka lënë pa u emëruar nga një anëtar si për VV-në, ashtu edhe për PDK-në, duke qenë se numri i propozimeve tejkalon vendet e lira.
Presidentja shpjegoi se kjo çështje ka qenë e paqartë dhe ka ngritur pikëpyetje për secilin president ndër vite. “Meqenëse kjo çështje nuk është sqaruar deri tani nga Gjykata Kushtetuese, kam kërkuar që ajo ta sqarojë. Sapo të sqarohet, do të vazhdohet me emërimet,” deklaroi Osmani. Ajo shtoi se rasti aktual është ngritur mbi një bazë tjetër ligjore, ndryshe nga rastet e mëparshme.
Sipas Osmanit, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë ndonjë vendim. Ajo sqaroi se një kërkesë e mëparshme, e ngritur bazuar në nenin 84, pika 9, ishte refuzuar nga Gjykata me argumentin e një standardi të ri që kishte ndërtuar vetë institucioni. Ndërkaq, tani rasti është ngritur mbi një bazë tjetër kushtetuese, konkretisht nenin 113 të Kushtetutës, dhe Presidentja shprehu shpresën se Gjykata do të japë përgjigjen. Ajo theksoi se, meqenëse ka vetëm një vend të lirë ndërsa kërkesat janë për dy anëtarë (një nga VV dhe një nga PDK), është thelbësore të konsultohet Gjykata Kushtetuese për procedurën e duhur.
