Ministria e Arsimit dhe Shkencës priti një delegacion të Kombeve të Bashkuara në Kosovë United Nations Kosovo Team (UNKT), në kuadër të thellimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, theksoi se Ministria është në proces të finalizimit të programit katërvjeçar të reformave në arsim dhe shkencë. Ai nënvizoi si prioritete kryesore rritjen e qasjes në edukimin parashkollor, zbatimin e shkollimit tërëditor nga klasa e parë deri në të nëntën, forcimin e arsimit profesional përmes sistemit dual, si dhe reformimin e arsimit të lartë përmes profilizimit të universiteteve publike, me synim rritjen e cilësisë dhe efikasitetit të sistemit arsimor.

Nga ana e tij, Koordinatori i OKB-së në Kosovë, Stephen O’Malley, theksoi se OKB është në fazën përfundimtare të planit të ri strategjik, i cili mbështetet në tri shtylla kryesore: zhvillimin e kapitalit njerëzor, forcimin e qeverisjes së përgjegjshme dhe sundimit të ligjit, si dhe promovimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike. Ai nënvizoi se arsimi mbetet prioritet kyç, si bazë për zhvillimin afatgjatë dhe fuqizimin e potencialit njerëzor në Kosovë.

Të dy palët vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë institucional dhe harmonizimit të programeve zhvillimore me prioritetet kombëtare, duke u pajtuar për vazhdimin e koordinimit në zbatimin e reformave në sektorin e arsimit.