Hoti: Pesha e rritjes së çmimeve rëndon mbi qytetarët – Qeveria mungon vullneti për lehtësimin e tyre

Ish-kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka deklaruar se e gjithë barra e rritjes së çmimeve po rëndon mbi qytetarët, duke theksuar mungesën e vullnetit të qeverisë për të ndërmarrë masa lehtësuese. Në një intervistë për emisionin “EURO n’T7”, Hoti shpjegoi se Kosova, si një vend në zhvillim, preket më rëndë nga krizat ekonomike globale në krahasim me shtetet e tjera.

Sipas Hotit, dallimi thelbësor me vendet e tjera qëndron në faktin se këto të fundit ndërmarrin masa konkrete për të reduktuar kostot e jetesës për qytetarët dhe bizneset. “Në rastin tonë, është për të ardhur keq që, jo vetëm në krizën e fundit, por edhe më herët, siç ishte ajo energjetike, institucionet e vendit nuk kanë një qasje serioze dhe sistematike për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që të përballen me këtë situatë,” theksoi ai.

Hoti e cilësoi situatën si paradoksale, duke argumentuar se “hapësira e mundshme për t’u marrë me këtë krizë ekziston.” Duke marrë si shembull rritjen e çmimeve të naftës, ish-kryeministri tha se “hapësira e qeverisë për të ulur çmimet është e konsiderueshme.” Ai shpjegoi se me një akcizë prej 36 centësh dhe TVSH prej 18%, e cila rritet ndjeshëm me rritjen e çmimit për litër, qeveria duhej të kishte ulur të paktën akcizën për të stabilizuar çmimin e naftës. Hoti theksoi se të ardhurat e qeverisë nuk do të binin, pasi ato rriten si pasojë e rritjes së çmimit dhe mbledhjes së TVSH-së. “Pra, hapësira fiskale ekziston, por nuk ekziston vullneti i kësaj qeverie,” përfundoi ai.

Ish-kryeministri kritikoi qeverinë Kurti, duke thënë se as në krizën e mëparshme energjetike nuk ka marrë masa adekuate, por është përqendruar në ofrimin e ndihmave të njëhershme, “të cilat nuk i japin aspak zgjidhje problemit.” Ai përmendi edhe masat e menjëhershme që qeveria mund të kishte ndërmarrë, por nuk ka pasur vullnet.

Si një masë të menjëhershme, Hoti propozoi “uljen proporcionale të akcizës me rritjen e çmimit të naftës,” duke argumentuar se me rritjen e çmimit të karburantit, qeveria mbledh më shumë të ardhura nga TVSH-ja. “Ajo çka po ndodh tani është se e gjithë barra e rritjes së çmimeve po u bartet qytetarëve, përveç faktit që qeveria vetëm kufizon marzhën e fitimit për bizneset,” shtoi Hoti.