Protesta e Partisë Demokratike ka përfunduar në mbrëmjen e sotme. Në fjalën e tij përmbyllëse, kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se “regjimi u tmerrua sot” dhe paralajmëroi se tubimi i ardhshëm do të jetë “edhe më i fuqishëm”.
Berisha e cilësoi drejtorin e Policisë së Shtetit me emrin “Skënder Balluku” dhe pohoi se gjatë protestës janë lënduar deputetë dhe protestues demokratë, duke shtuar se forcat e policisë kishin vepruar si një “njësi kriminale”.
Në deklaratën e tij për mediat, Berisha përmendi me emër disa drejtues policie, duke i etiketuar si “kriminelë profesionistë”. Ai u shpreh se: “Skënder Balluku, Sokol Tradhtari Bespreri Bizhga dhe Elton Alushi, si dhe Dashamir, shefi i Njësisë Operative, kanë treguar fytyrat prej kriminelësh profesionistë. Këta janë thjesht kriminelë të certifikuar, nuk janë policë.”
Lidhur me dosjen “Rama-Balluku”, kryedemokrati theksoi se ajo “nuk mbyllet, deri në ditën e fundit të jetës së tyre, janë të regjistruar si hajdutët më të mëdhenj të historisë së shqiptarëve.”
Berisha akuzoi gjithashtu policinë se “përdori granatat e zhurmës kundër protestuesve, ka hedhur shishe molotovë dhe plagosën protestues dhe policë, sepse efektivët iu duheshin si dëshmitarë të gjoja të akteve të protestuesve”. Në fund të fjalës së tij, ai paralajmëroi organizimin e shpejtë të një proteste tjetër.
