**Haxhiu nga Dyz: Kriminelët e luftës të ndiqen dhe dënohen edhe në mungesë**

Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, bëri sot homazhe në Dyz, duke përkujtuar përvjetorin e masakrës së kryer nga forcat serbe ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.

Në fjalën e saj, Haxhiu rikujtoi se 27 vjet më parë, nga mesi i prillit, banorët e Llapit dhe Gollakut, teksa kërkonin shpëtim, u përballën me dhunën brutale të forcave pushtuese serbe.

“Aty nuk kishte ushtarë. Aty ishin burra, gra, fëmijë, pleq e njerëz të zakonshëm që kërkonin vetëm të jetonin në paqe e me dinjitet. Por, ata u përballën me një dhunë të organizuar, të planifikuar dhe çnjerëzore”, theksoi Haxhiu.

Ajo kujtoi se mbi 200 civilë shqiptarë të paarmatosur u masakruan në këtë akt gjenocidal të kryer nga Serbia, dhe theksoi se kujtimi për ta mbetet detyrim i përhershëm.

“Sot, jemi këtu për të përkujtuar këtë ngjarje tragjike dhe për të mos harruar kurrë. Kujtimi është detyrë morale, njerëzore dhe kombëtare”, u shpreh Haxhiu.

Duke folur për mungesën e drejtësisë, ajo tha se e vërteta për këto krime dihet dhe se përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë.

“Si institucione të Republikës së Kosovës, kemi krijuar bazën ligjore për ndjekjen dhe dënimin e kriminelëve të luftës edhe në mungesë. Prandaj, nga ky vend sot, u bëj thirrje institucioneve të drejtësisë që të angazhohen me të gjitha kapacitetet e tyre, për të ngritur aktakuzat dhe gjykimet ndaj përgjegjësve për këto krime të rënda. Drejtësia nuk duhet të mungojë”, tha kryetarja Haxhiu.

Në mbyllje të fjalës së saj, Haxhiu theksoi se nderimi më i madh për martirët dhe dëshmorët është puna e përditshme për drejtësi, zhvillim, siguri dhe prosperitet për qytetarët e Republikës së Kosovës.