Në Gjykatën Speciale në Hagë pritet me interes vendimi përfundimtar në gjyqin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Avokati Artan Qerkini ka vlerësuar se provat e prezantuara favorizojnë mbrojtjen dhe ka theksuar se vendimi i vetëm i drejtë është pafajësia. Ndërkohë, Gjykata nuk ka dhënë detaje nëse vendimi do të shpallet brenda afatit 90-ditor pas përfundimit të argumenteve përmbyllëse.

Argumentet përmbyllëse në këtë gjyq përfunduan më 18 shkurt. Sipas procedurave, trupi gjykues ka në dispozicion 90 ditë për shqyrtimin e provave dhe arritjen e një vendimi, afat ky që plotësohet më 19 maj. Tani gjithçka mbetet në duart e gjyqtarëve, në pritje të shpalljes së vendimit final.

Avokati Artan Qerkini shprehet se, edhe pse vlerësimi përfundimtar i provave kryhet gjatë fazës së marrjes së vendimit, një pjesë e tyre është analizuar edhe gjatë rrjedhës së gjykimit. Ai thekson rëndësinë e drejtësisë mbi shpejtësinë e procesit.

“Duke pasur parasysh faktin se trupi gjykues ka trajtuar vetëm këtë çështje, besoj se një pjesë e provave janë vlerësuar edhe gjatë gjykimit. Por vlerësimi përfundimtar bëhet në fazën e marrjes së vendimit. Nëse nevojitet kohë shtesë, është e natyrshme që ajo të merret për të siguruar një vendim të drejtë,” deklaroi Qerkini për RTK-në.

Sipas Qerkinit, edhe pse prokuroria ka paraqitur një numër të madh provash dhe dëshmitarësh, cilësia e tyre mbetet për t’u diskutuar.

“Prokuroria është përpjekur ta kompensojë mungesën e cilësisë me sasi. Ajo ka thirrur rreth 150 dëshmitarë, ndërsa mbrojtja vetëm 8, por me cilësi shumë të lartë. Prandaj mendoj se cilësia e provave është në favor të mbrojtjes dhe vendimi i vetëm i ligjshëm është pafajësia,” shtoi ai.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle, theksoi se ende nuk dihet nëse trupi gjykues do ta shpallë vendimin brenda afatit tre-mujor.

“Pas mbylljes së çështjes, Trupi Gjykues ka 90 ditë kohë për të shqyrtuar me kujdes provat dhe argumentet e paraqitura dhe për të arritur në një vendim. Nëse u nevojitet më shumë kohë për shqyrtimet e tyre, këto 90 ditë mund të zgjaten. Deri më tani, nuk ka informacion publik nëse shqyrtimet do të shtyhen përtej periudhës fillestare 90-ditore,” pohoi Doyle.

Ndër të tjera, avokati Qerkini kritikon gjithashtu vazhdimin e paraburgimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, duke e cilësuar si të pajustifikueshëm në këtë fazë të procesit. Deri në vendimin përfundimtar, katër të akuzuarit do të vazhdojnë të qëndrojnë në Qendrën e Paraburgimit në Holandë.