Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar për një aksion të gjerë policor, i zhvilluar në disa qytete të Kosovës, i cili ka rezultuar në goditjen e fortë të kriminalitetit të organizuar. Si pasojë e këtij operacioni, janë arrestuar 26 persona dhe janë sekuestruar rreth 150 mijë euro.
Sveçla bëri të ditur se, krahas një aksioni antidrogë të realizuar në Pejë, Policia e Kosovës ka kryer edhe një operacion masiv në dhjetëra lokacione në Mitrovicë dhe Vushtrri.
Ky aksion synonte goditjen e veprimtarive kriminale, siç janë organizimi i skemave piramidale dhe bixhozi i paligjshëm.
Ministri Sveçla theksoi se institucionet e Kosovës mbeten thellësisht të përkushtuara për ruajtjen e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e vendit. “Të përkushtuar për rend dhe ligj. Kudo,” citohet të ketë thënë ai.
Burimi: IndeksOnline
