Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka kritikuar ashpër menaxhimin e krizës ekonomike nga Qeveria e Kosovës, duke theksuar se masat e deritanishme kanë rënduar bizneset dhe jetën e qytetarëve, pa ofruar zgjidhje konkrete për konsumatorët. Shahini theksoi se qeveria po e menaxhon krizën “në kurriz të bizneseve dhe qytetarëve”, raporton Ekonomia Online.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Shahini deklaroi se shteti ka në dispozicion shumë mekanizma, por Qeveria vazhdimisht ka zgjedhur të ndërhyjë duke kufizuar fitimin e bizneseve, pa bërë asgjë konkrete për të mbrojtur konsumatorin. Ai theksoi se projektligji për çmimet tavan, aktualisht në diskutim, ka shumë mangësi dhe nuk duhet të shërbejë si udhërrëfyes për zhvillimin ekonomik, por vetëm si mjet kontrolli në raste të jashtëzakonshme.

Shahini shtoi se Qeveria nuk ka ndërmarrë hapa për të ulur TVSH-në apo për të hequr akcizën në derivate. Përkundrazi, energjia elektrike është shtrenjtuar, duke e bërë jetën më të vështirë dhe më të shtrenjtë për qytetarët dhe konsumatorët kosovarë.

Kreu i AKB-së theksoi gjithashtu se Qeveria nuk ka një strategji të qartë për prodhimin vendor, duke vënë në theks gjendjen e rëndë të prodhuesve vendas. Ai nënvizoi se AKB-ja ka mbështetur vazhdimisht ekonominë dhe prodhuesit vendorë, duke kërkuar politika zhvillimore. Megjithatë, realiteti është se prodhuesit vendas janë në gjendje shumë të rëndë, të pambështetur dhe shpesh të nënvlerësuar, edhe nga konsumatorët.

Shahini shpjegoi se kostot e larta, si çmimi i energjisë elektrike dhe i derivateve të naftës (ndër më të shtrenjtat në Ballkanin Perëndimor), si dhe shërbimet, faturohen në çmimin final të prodhimeve. Ai kritikoi mungesën e subvencioneve dhe mbështetjes për prodhimin vendor. Sipas Shahinit, pa një strategji dhe mbështetje të qartë, Kosova rrezikon të humbasë edhe këtë vit për zhvillim dhe integrim.

Në fund, Shahini tha se shpreson që Qeveria aktuale të arrijë një marrëveshje me Presidenten për këtë çështje, pasi në të kundërtën vendi do të humbasë një vit tjetër për zhvillim, integrim dhe mbështetje, jo vetëm për prodhimin vendor por edhe në marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtar. Ai përmendi rreth 40 kritere që duhet të plotësohen deri në fund të vitit për të arritur financime nga BE-ja, në vlerë prej 880 milionë eurosh, për rritjen ekonomike.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim, më 10 prill, me 63 vota pro dhe 19 kundër, Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, i njohur si Ligji për Çmimet Tavan.