**Policia: 34 të arrestuar në aksionin kundër bixhozit të paligjshëm, kontrollohen rreth 50 lokacione dhe sekuestrohen 170 mijë euro**
Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ka njoftuar se ka zhvilluar një sërë operacionesh të koordinuara në rajonet e Mitrovicës, Vushtrrisë, Istogut dhe Skenderajt. Këto aksione kishin për qëllim luftimin e aktiviteteve të paligjshme, të lidhura kryesisht me organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Policia njoftoi se, bazuar në raportet zyrtare, gjatë këtyre operacioneve janë arritur rezultate konkrete. Janë arrestuar 34 persona të dyshuar dhe janë kontrolluar rreth 50 lokacione të ndryshme, duke përfshirë lokale afariste dhe shtëpi private.
Si prova materiale, janë sekuestruar rreth 170,000 euro para të gatshme, pesë automjete, armë zjarri, si dhe pajisje dhe materiale të tjera të përdorura për zhvillimin e aktiviteteve të kundërligjshme.
Me vendim të prokurorit kompetent, 29 të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.
Policia thekson se veprime të ngjashme policore janë ndërmarrë edhe nga njësitë e hetimit rajonal dhe stacionet kompetente policore, të cilat kanë sjellë rezultate konkrete në parandalimin dhe arrestimin e personave të dyshuar për përfshirje në vepra të ndryshme penale. Në kuadër të këtyre veprimeve, theksohen ato në Skenderaj, ku janë kontrolluar 15 lokacione, janë arrestuar 8 persona dhe prej tyre 4 janë dërguar në mbajtje.
