Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot ka konfirmuar se portieri Giorgi Mamardashvili është dërguar në spital pas një dëmtimi shqetësues gjatë derbit të Merseyside ndaj Evertonit të dielën.
Portieri gjeorgjian u detyrua të largohej me barrelë gjatë fitores 2-1 të Liverpoolit, duke shtuar edhe më shumë problemet për repartin e portës, veçanërisht pasi edhe titullari Alisson Becker ndodhet aktualisht në rikuperim.
Slot dha një përditësim pas ndeshjes duke thënë: “Ai ka shkuar në spital. Duket se është një plagë e hapur. Nuk mendoj se është dëmtim afatgjatë, por do të shohim nëse do të jetë gati javën e ardhshme”.

Dëmtimi ndodhi gjatë një aksioni të tensionuar në pjesën e dytë, kur Beto shënoi për Evertonin në një moment ku Mamardashvili u përplas fort gjatë ndërhyrjes së mbrojtësit Andrew Robertson.
Ai mbeti në dhimbje dhe nuk mundi të vazhdonte ndeshjen.
Pas disa minutash trajtimi në fushë, u vendos që të largohej me barrelë, duke ngritur shqetësime për një mungesë të mundshme në një moment kyç të sezonit të Premierligës.
Pavarësisht kësaj situate, Liverpooli arriti të fitojë në fund me golin e vonë të Virgil van Dijk në kohën shtesë.
Me Mamardashvilin jashtë loje, Slot u detyrua të aktivizojë portierin e tretë Freddie Woodman, i cili bëri debutimin e tij në Premierligë në një derbi të madh.
Ai u paraqit me qetësi dhe kontribuoi që Liverpooli të ruajë kontrollin në minutat e fundit të ndeshjes./GazetaExpress/
