Deklarimi i pasurisë i Kryeministrit Kurti me 16 euro shkakton valë reagimesh dhe ironish
Deklarimi i fundit i pasurisë nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ku ai ka raportuar vetëm 16 euro në llogarinë e tij bankare, ka shkaktuar një valë reagimesh, humoristike dhe skeptike, në mesin e qytetarëve dhe në rrjetet sociale.
Reagimet dhe ironitë u shfaqën menjëherë pas publikimit të lajmit, veçanërisht në rrjetet sociale. Qytetarët komentuan “matematikën magjike” të z. Kurti, ku qiraja rritet ndërsa kursimet zhduken. Disa sugjeruan të niste një aksion për mbledhjen e fondeve për kryeministrin, duke pyetur me humor se si do t’i kalonte netët dhe muajin me atë shumë. Të tjerë shpërndanë fotografi të manipuluara, duke e paraqitur atë në situata që kërkonte para ose luante bixhoz, si dhe duke bërë lidhje me banesën 530,000 euro në Oslo, e deklaruar si pronë e bashkëshortes.
Gjithashtu, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve shprehu mosbesim dhe skepticizëm të thellë ndaj këtij deklarimi, duke e vlerësuar atë si jo bindës dhe larg realitetit ekonomik, madje si tallje me popullin. Mehmet Çollaku, një qytetar, e cilësoi deklarimin si jo të sinqertë, duke ironizuar: “Hajde t’i mbledhim edhe 100 euro që ta nxjerrim prej krize.” Ai sqaroi më tej: “Përgjithësisht, shihet se është një deklarim jo i sinqertë. Prandaj, kemi edhe një pakënaqësi të gjerë. Ne që jemi pensionistë, në momentin kur e pamë deklarimin e tij, u tubuam dhe thamë: ‘Hajde t’i mbledhim edhe ne 100 euro si pensionistë dhe ta nxjerrim prej krize’.”
Një qytetar tjetër e përshkroi situatën si “të dhimbshme”: “Është vërtet e dhimbshme. Si mundet kryeministri me 16 euro? A nuk i vjen turp ta thotë këtë? Unë jam pensionist dhe 200 euro nuk më mjaftojnë as për një çaj a kafe, e jo më me 16 euro. Kjo nuk është temë për t’u folur, as për t’u dëgjuar në media.”
Ndërkaq, Kadri Bekteshi theksoi se deklarimi i tillë nuk është i besueshëm dhe mund të jetë bërë në formë talljeje. “Sipas meje, është e pamundur, ajo që ka thënë ai, pasi edhe një njeri i thjeshtë mund të ketë më shumë, e jo më Albin Kurti. Ai mund të ketë dhjetëfishin, madje njëzetfishin, është mendimi im… Ai veç ka bërë tallje me qytetarët dhe me të gjithë ne. Edhe një njeri që merr ndihmë sociale ka më shumë në llogari sesa ç’ka thënë ai,” u shpreh Bekteshi, duke shtuar se një deklarim i tillë nuk është i hijshëm për një zyrtar të lartë shtetëror.
Sidoqoftë, Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, duke ofruar një panoramë më të plotë financiare:
* Në emër të tij personal, ai ka deklaruar 16.41 euro në para të gatshme.
* Bashkëshortja e tij ka deklaruar 19,500 euro, me prejardhje nga paga dhe trashëgimia nga prindi.
* Vajza e tyre ka kursime prej 2,050 eurosh, të deklaruara si fonde nga familjarët.
* Për sa i përket pasurisë së paluajtshme, është deklaruar një banesë në pronësi të bashkëshortes në Oslo, me vlerë 530,000 euro.
* Bashkëshortja e Kurtit ka gjithashtu një kredi të mbetur në vlerën 160,000 euro.
* Nga deklarimi vërehet se qiraja e banesës ku banon kryeministri është shtrenjtuar, duke arritur në 350 euro në muaj, nga 250 euro sa paguhej një vit më parë, ndonëse kursimet e tij personale kanë rënë.
