Riorganizimi në MPB: Rrezikohet Përfaqësimi Shqiptar në Pozitat Drejtuese të Policisë
**Shkup, 24 mars** – Reformat e fundit në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), të cilat burojnë nga Ligji i ri për Policinë dhe Ligji i ri për MPB-në, kanë ngritur shqetësime të thella për uljen e përfaqësimit të shqiptarëve në pozitat drejtuese të policisë. Ky sistematizim i ri, i cili shfuqizon pozitat e zëvendëskryeshefave dhe zëvendëskomandantëve, rrezikon që stacione policore në qytete kyçe dhe pika kufitare të mbeten pa drejtues shqiptarë.
Sipas informacioneve nga burime brenda MPB-së, Stacioni i Policisë në Draçevë, në Autokomandë, në Gjorçe Petrov, në Karposh, në Çair (Butel), në Kumanovë, në Kërçovë, në Manastir dhe në Ohër, rrezikojnë të mbeten pa drejtues shqiptarë. Aktualisht, pozitat e zëvendëskomandantëve në këto stacione mbahen nga shqiptarë. Me eliminimin e kësaj pozite në sistematizimin e ri, drejtimi pritet të kalojë vetëm te komandantët, të cilët aktualisht janë maqedonas, shkruan gazeta KOHA.
Përveç këtyre nëntë stacioneve, përfaqësimi shqiptar mund të zbehet edhe në tetë stacionet policore kufitare, veçanërisht në ato për mbikëqyrjen e vijës kufitare dhe pika-kalimeve. Në Policinë Kufitare – Rajoni i Veriut, aktualisht ka tetë zëvendëskomandantë shqiptarë. Stacionet e prekura janë ato në Sopot, Tabanoc, Tanushë, Bllacë e Sipërme, Jazhincë, Rogaçevë, Mazdraq dhe Aeroportin e Shkupit, ku aktualisht zëvendësit janë shqiptarë. Me sistematizimin e ri, ekziston mundësia të mos mbetet asnjë prej tyre.
Ndryshimet mund të prekin edhe nivele më të larta të drejtimit, pasi me sistematizimin e ri rrezikon të hiqet edhe pozita e zëvendëskryeshefit të Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup, një post i rëndësishëm për hartimin dhe zbatimin e politikave policore. Si pasojë, pritet të preken edhe një sërë pozicionesh në Policinë e Komunikacionit Rrugor.
Shfuqizimin e të gjitha pozitave të zëvendësve dhe ndihmës-kryeshefave në të gjitha sektorët e konfirmoi dje ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Ai theksoi se këto ndryshime janë rezultat i reformave ligjore në MPB. “Mendoj se numri i strukturës drejtuese në MPB do të ulet për rreth 37-38%. Kjo do të thotë se nuk do të kemi më një numër shumë të madh të ndihmësve, zëvendësve, nën-kryeshefave, afër-kryeshefave, e kështu me radhë, të definuar paraprakisht. Nuk do të kemi funksione vetëm për të pasur funksione, por do të ketë funksione që përveç të drejtave dhe përfitimeve do të kenë edhe përgjegjësi konkrete për veprimet që sipas ligjeve do t’i kenë, veçanërisht kryeshefat”, deklaroi Toshkovski.
Ky riorganizim, megjithëse prezantohet si pjesë e reformës për efikasitet institucional, ka ngritur shqetësime të thella për balancën etnike në strukturat e sigurisë dhe përfaqësimin e shqiptarëve në nivelet drejtuese të policisë. Opozita ka reaguar ashpër, duke akuzuar se po kryhet një ‘spastrim etnik’ i policisë nga shqiptarët dhe duke fajësuar krerët e koalicionit VLEN se po rikthejnë situatën e para vitit 2001 në forcat policore të vendit, raporton KOHA.
Megjithatë, Astrit Iseni, zëvendësministër i Policisë, ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale, duke theksuar se ruajtja e përfaqësimit të drejtë është parim i pandryshueshëm i MPB-së. Madje, ai shprehet se jo vetëm që do të mbetet, por do të avancohet sipas standardeve si institucion dhe si shtet. “Garantoj se në çdo model të ri organizativ shqiptarët do të jenë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë dhe në disa segmente edhe më mirë se më herët. Askush nuk do të lejojë nënçmim të ndonjë qyteti, rajoni apo bashkësie etnike. Mbetet e pakuptueshme pse disa struktura politike, në vend se të kontribuojnë me fakte dhe propozime serioze, vazhdojnë të shpërndajnë panik dhe të përhapin informacione të pavërteta që i dëmtojnë qytetarët dhe krijojnë tensione të panevojshme”, theksoi Iseni.
Ai shtoi se proceset e brendshme në MPB zhvillohen në mënyrë transparente dhe me përgjegjësi. “Çdo vendim merret pas konsultimeve të nevojshme profesionale dhe gjithmonë me prioritet interesin e qytetarëve dhe funksionimin efikas të institucionit. Nuk ka asnjë arsye për shqetësim dhe asnjë hap që cenon përfaqësimin. Përkundrazi, qëllimi ynë është që shërbimet në çdo njësi të jenë funksionale, të balancuara dhe më afër qytetarëve”. (koha.mk)
