Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot se i ka bërë oferta konkrete Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në kuadër të negociatave për zgjedhjen e presidentit. Ai bëri këto deklarata gjatë një konference për media.

Kreu i Qeverisë theksoi se oferta e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për PDK-në, e cila parashikon një shkëmbim postesh ndërmjet kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit, si dhe oferta për LDK-në, që përfshin pozicionin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministrive, është “shumë bujare”.

Kurti u shpreh se Bedri Hamza i PDK-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së kanë marrë një numër më të vogël votash në krahasim me disa figura të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryeministri theksoi nevojën për të shmangur zgjedhjet e reja, duke argumentuar se “nuk sjellin asgjë të re”. Ai kujtoi se kanë kaluar 113 ditë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe se rezultati “nuk ka qenë kurrë më i qartë”. “Këta 120 deputetë duhet t’i funksionalizojnë institucionet. Duhet të kemi edhe president,” tha ai, duke kërkuar pranimin dhe respektimin e vullnetit të zgjedhësve. “LVV me partnerët e saj numëron 57 deputetë, duke formuar një shumicë prej 66 deputetësh. Pranimi i rezultatit nënkupton që PDK-ja të kuptojë se, me 22 deputetë, përfaqëson vetëm një të tretën e shumicës,” deklaroi Kurti.

“LVV ka fituar 51.1% të votës popullore, prandaj, edhe në vitin 2026, veprimet duhet të jenë në përputhje me këtë rezultat,” tha Kurti. Duke elaboruar ofertën për PDK-në, ai shtoi: “I kam ofruar Hamzës që të bëhet një rrokadë postesh. PDK-ja le ta propozojë Hamzën ose Çitakun kryetar të Kuvendit, ndërsa Haxhiu bëhet nënkryetarja e Kuvendit dhe ecim tutje.” Kryeministri e konsideroi këtë një “lëshim të madh” nga LVV, duke argumentuar se “katër veta në LVV kanë më shumë vota se Bedri Hamza. Nëse e krahasoni me LDK-në, 10 veta kanë më shumë vota se Lumir Abdixhiku. Duhet ta respektojmë rezultatin zgjedhor. Vullneti i popullit nuk mund të shkelet.”

Duke shpalosur ofertën për LDK-në, Kurti deklaroi se “kryetari i LDK-së mund të bëhet zëvendëskryeministër, dhe njëkohësisht të mbajë postin e ministrit të Punëve të Jashtme.” Ai theksoi se kjo do të nënkuptonte që LDK-ja do të kishte katër ministri në kuadër të qeverisjes. “Oferta jonë është shumë bujare,” përfundoi Kurti.