Real Madridi po shqyrton mundësinë për të afruar trajnerin e suksesshëm të Stuttgartit, Sebastian Hoeneß.
Sipas raportimeve të “Sport Bild”, Hoeneß është një nga kandidatët që klubi madrilen po vlerëson për të zëvendësuar trajnerin aktual Álvaro Arbeloa këtë verë.
Arbeloa, i cili mori drejtimin në janar pas shkarkimit të Xabi Alonsos, pritet të largohet pas një sezoni pa trofe dhe eliminimit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve nga Bayern Munichu.
Drejtuesit e Real Madridit po analizojnë disa opsione për të rindërtuar ekipin, dhe Hoeneß ka tërhequr vëmendje për stilin e guximshëm të lojës dhe aftësinë për të ndërtuar një skuadër konkurruese pa u mbështetur te yjet e mëdhenj.
Megjithatë, deri tani nuk ka pasur një ofertë zyrtare.
Trajneri gjerman është nën kontratë me Stuttgartin deri në vitin 2028 dhe marrëveshja e tij nuk përfshin klauzolë largimi, që do të thotë se çdo transferim do të kërkonte negociata për një dëmshpërblim.
Ai është gjithashtu nipi i legjendës së Bayern Munichut, Uli Hoeneß.
Hoeneß mori drejtimin e Stuttgartit në pranverën e vitit 2023, kur skuadra rrezikonte rënien nga kategoria, por arriti ta mbajë në elitë përmes “play-offit”.
Një sezon më pas, ai e çoi ekipin në vendin e dytë dhe në Champions, duke e kthyer në një pretendent të rregullt për garat evropiane.
Sezonin e kaluar fitoi edhe Kupën e Gjermanisë, dhe këtë vit është sërish në garë, me një gjysmëfinale kundër Freiburgut.
Suksesi i tij ka tërhequr interesim nga klube të mëdha si Manchester Unitedi dhe Chelsea.
Megjithatë, në mars të vitit 2025 ai rinovoi kontratën deri në vitin 2028, duke deklaruar se ndihet në vendin e duhur.
“Kur iu bashkova Stuttgartit, situata sportive ishte e vështirë, por vendimi ishte i duhuri. Dhe ndihet po aq i duhuri edhe tani për të vazhduar”, thoshte ai./GazetaExpress/
