Juventus interesohet për Ardon Jasharin: Largimi i mundshëm nga Milani
Sipas prestigjiozes italiane “La Gazzetta dello Sport”, Juventusi ka shfaqur interesim për mesfushorin e Milanit, Ardon Jasharin. Futbollisti shqiptaro-zviceran ka pasur një sezon debutues të vështirë në “San Siro”, gjë që mund të çojë në largimin e tij.
Klubi torinez, i cili po kërkon të përforcojë mesfushën e tij qendrore për verën e ardhshme, e ka vendosur Jasharin në listën e objektivave kryesorë. Ata po monitorojnë situatën e tij me kujdes, duke synuar të afrojnë një mesfushor krijues për sezonin 2026/27.
Jashari u transferua te Milani verën e shkuar nga Club Brugge për një shifër rreth 34 milionë euro, plus bonuse. Megjithatë, një dëmtim serioz në fibul, pësuar vetëm pak ditë pas nisjes së stërvitjeve, ndikoi ndjeshëm në performancën e tij gjatë gjithë sezonit.
Mesfushori me origjinë shqiptare, por që përfaqëson Zvicrën në nivel ndërkombëtar, ka grumbulluar vetëm 657 minuta lojë në të gjitha garat këtë sezon, duke u aktivizuar në 13 ndeshje dhe duke qëndruar 15 herë në stol.
Interesimi i Juventusit për Jasharin nuk është i ri, pasi ata kishin monitoruar situatën e tij edhe vitin e kaluar. Një marrëveshje e mundshme me Milanin këtë verë do të varet nga kushtet financiare dhe objektivat e klubeve.
Përveç Jasharit, në listën e dëshirave të ‘Zonjës së Vjetër’ janë edhe emra të tjerë të njohur si Bernardo Silva i Manchester Cityt dhe Pierre-Emile Højbjerg i Marsejës. Për Bernardon, Juventusi thuhet se ka nisur tashmë bisedimet me rrethin e tij, pasi kontrata e portugezit me Manchester Cityn skadon në qershor 2026 dhe nuk pritet të rinovohet.
