Një oficer i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka përfunduar me sukses një trajnim elitar në Mbretërinë e Bashkuar dhe është nderuar me “Mirënjohje të Veçantë” për performancën e tij të shkëlqyer.
Nëntoger Endi Sherifi përfundoi Kursin e Betejës për Komandantët e Togave (PCBC – Platoon Commander Battle Course), një prej trajnimeve më sfiduese të këmbësorisë në Ushtrinë Britanike. Kursi u zhvillua në Brecon, Uells, në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjatë këtij programi intensiv, Nëntoger Sherifi demonstroi përkushtim të lartë, profesionalizëm shembullor dhe aftësi të jashtëzakonshme udhëheqëse. Si rezultat i performancës së tij të lartë, ai u vlerësua me një Mirënjohje të Veçantë nga Komandanti i Shkollës së Këmbësorisë. Kjo mirënjohje prestigjioze iu dorëzua personalisht nga Shefi i Shtabit të Forcave Tokësore Britanike, Gjeneralmajor Carl Boswell.
Forca e Sigurisë së Kosovës shpreh krenarinë e saj për arritjet e pjesëtarëve të saj, të cilët vazhdojnë të përfaqësojnë denjësisht vendin në arenën ndërkombëtare dhe të ngrenë standardet profesionale të forcës sonë.
