**Lampard konfirmon qëndrimin te Coventry pas ngjitjes në Premier Ligë, shuan spekulimet për Chelsea**
Frank Lampard ka konfirmuar angazhimin e tij ndaj Coventry City-t, duke shuar spekulimet për një rikthim të mundshëm te Chelsea FC për një mandat të tretë. Pasi udhëhoqi skuadrën drejt titullit në Championship dhe ngjitjes në Premier League, legjenda e “Bluve” theksoi se fokusi i tij është te suksesi aktual i skuadrës e jo te pozicioni i lirë në “Stamford Bridge” pas shkarkimit të trajnerit Liam Rosenior.
Që prej emërimit të tij në nëntor 2024, Lampard ka transformuar skuadrën e Coventry-t në “CBS Arena”. Nën drejtimin e tij, skuadra ka regjistruar 44 fitore në 80 ndeshje, duke siguruar rikthimin në elitën e futbollit anglez. Pavarësisht lidhjes së fortë emocionale me klubin londinez, ai hodhi poshtë me shpejtësi zërat për një rikthim gjatë një konference shtypi, para ndeshjes së të dielës kundër Wrexham AFC. Ndërkohë që Chelsea po kalon një periudhë të vështirë me pesë ndeshje pa shënuar gol, Lampard mbetet nën kontratë me Coventry-n deri në qershor 2027 dhe po shijon festimet e titullit.
Trajneri 47-vjeçar shmangu komentet rreth rrethanave të largimit të Rosenior-it, duke kujtuar përvojën e tij në stolin e “Stamford Bridge”. Ai theksoi se krenaria e tij vjen nga “viti i veçantë” që ka kaluar me tifozët dhe skuadrën e Coventry-t.
I pyetur nga Sky Sports për rikthimin e mundshëm te Chelsea dhe situatën aktuale të ish-klubit të tij, Lampard deklaroi: “Absolutisht nuk dua të flas për Liam-in dhe Chelsean, pasi kam qenë në atë pozicion dhe nuk dua të komentoj shumë për trajnerët për shkak të prapaskenave. Mendoj se është mungesë respekti të gjykosh. Kjo është punë për analistët. Unë jam trajner i Coventry-t, po e shijoj momentin tonë me promovimin dhe titullin, dhe kjo është e gjitha.”
Ai shtoi: “Është një periudhë e vështirë, pa dyshim, dhe ne si trajnerë e dimë pasojat që mund të ketë. Si klub, ata po kalojnë një moment të vështirë, por kanë ende mundësi të arrijnë diçka nga sezoni me Kupën FA dhe pozicionin në ligë. Chelsea është një pjesë e madhe e jetës sime, por tani është puna e tyre, ndërsa puna ime është këtu.”
Pavarësisht suksesit, pyetjet rreth të ardhmes afatgjatë të Lampard-it vazhdojnë, pasi kontrata e tij aktuale po i afrohet fundit. Trajneri kërkon që fokusi të mbetet te arritjet aktuale dhe jo te spekulimet.
“Do të doja që tifozët e Coventry-t thjesht të shijonin atë që kemi arritur këtë sezon. Në futboll shumë gjëra nuk janë nën kontrollin e dikujt. Unë jam krenar që jam pjesë e këtij sezoni fantastik. Nuk ka pasur diskutime (për kontratën), ndaj po vazhdoj punën time dhe po i shijoj këto javët e fundit,” përfundoi ai.
