Ministria e Rinisë dhe Sportit dhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi në vlerë prej 1 milion e 150 mijë euro, duke formalizuar kështu bashkëpunimin për vitin 2026, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, tha se nënshkrimi i këtij memorandum bashkëpunimi është përforcim i mbështetjes së vazhdueshme për sportin.

“Kjo është një mbështetje e vazhdueshme por që po e forcojmë e po e fuqizojmë. Komiteti Olimpik i Kosovës është partner kyç por edhe strategjik i Ministrisë së Sportit dhe Rinisë, edhe në avancimin e sportit, por edhe për në përpjekjet për një shoqëri më të shëndetshme, më aktive. Sivjet memorandumi ka edhe rëndësi shtesë sepse Kosova do të përfaqësohet në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026 në fund të gushtit. Po ashtu, pas miratimit të Ligjit për Lojërat Mesdhetare, Kosova po përgatitet për lojërat që do t’i organizojë vetë në vitin 2030. Krejt ky bashkëpunim është thelbësor me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe prandaj nënshkrimi i memorandumit i cili përfshin vetëm këtë vit, por i cili do të përsëritet dhe do të fuqizohet”, theksoi Gashani.

Ndërsa, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, theksoi se ky memorandum është mbështetje shumë e fortë e shtetit për KOK-un.

 “Për mua ky memorandum nuk është vetëm një dokument financiar, por është një mbështetje shumë e fortë e shtetit dhe është një garancion institucional për Komitetin Olimpik të Kosovës, për lëvizjen olimpike dhe për të gjithë sportistët tanë. Përmes këtij memorandumi dhe këtij financimi që i bëhet Komitetit Olimpik të Kosovës, normal që ne do të vazhdojmë punën tonë me aktivitetet të cilat na prijnë përpara”, theksoi Krasniqi.

Kurse, Sekretari i Përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti, zbuloi vlerën e saktë të memorandumit, duke e cilësuar atë si “vlerën më të lartë ndonjëherë” që ministria ka ndarë për komitetin.

 “Është një rekord memorandum për Komitetin Olimpik, është vlera më e lartë ndonjëherë që është financuar Komiteti nga Ministria e Sportit. Vlera është 1,150,000 euro. Pra jemi definitivisht shumë falënderues. Por kjo, siç e tha edhe presidenti, tregon një seriozitet institucional, tregon një partneritet të fuqishëm mes dy partnerëve, në këtë rast Ministrisë dhe Komitetit Olimpik, dhe gjithashtu tregon që sivjet është një vit tejet i rëndësishëm për sportin e Kosovës, jo vetëm për Komitetin Olimpik, meqenëse i kemi Lojërat Mesdhetare në Taranto 2026, ku ky trekëndësh, siç e përmendi ministri, do të jetë i përfaqësuar në Lojërat Mesdhetare, duke bartur flamurin nga Italia në Kosovë për të pritur Lojërat Mesdhetare 2030 në Kosovë, pra si nikoqiri i ardhshëm”, bëri të ditur Aliti.