Qeveria australiane ka prezantuar një projektligj të ri, i cili synon të detyrojë gjigantët teknologjikë si Meta, Google dhe TikTok të kompensojnë mediat vendase për përdorimin e përmbajtjes së tyre të lajmeve.
Kjo nismë vjen në një kohë kur mediat tradicionale përballen me vështirësi financiare të theksuara, ndërsa konsumimi i lajmeve përmes rrjeteve sociale falas po rritet ndjeshëm. Mbështetësit e projektligjit theksojnë se këto platforma përfitojnë nga përmbajtja e lajmeve për të tërhequr përdorues dhe për të gjeneruar të ardhura të konsiderueshme nga reklamat, pa u ofruar asnjë kompensim mediave prodhuese.
Kryeministri Anthony Albanese njoftoi se kompanive fillimisht do t’u jepet mundësia të negociojnë marrëveshje tregtare me mediat australiane. Në rast mosmarrëveshjeje, ato do të përballen me një taksë prej 2.25% të xhiros së tyre në Australi, e cila do të shpërndahet më pas në sektorin e lajmeve.
“Platformat e mëdha nuk mund t’u shmangen përgjegjësive ndaj medias,” deklaroi Albanese, duke theksuar se masat e reja përforcojnë rregullat ekzistuese. Projektligji gjithashtu parashikon që kompanitë nuk do të mund t’u shmangen detyrimeve duke hequr përmbajtjet e lajmeve nga platformat e tyre – një praktikë që Meta dhe Google e kanë përdorur më parë në juridiksione të tjera. Sipas të dhënave të Universitetit të Kanberrës, më shumë se gjysma e australianëve mbështeten te rrjetet sociale si burimi kryesor për lajmet.
Ndërkohë, ish-presidenti amerikan Donald Trump, ka kundërshtuar taksat mbi shërbimet dixhitale për kompanitë amerikane dhe ka paralajmëruar masa tregtare ndaj vendeve që i aplikojnë ato. Megjithatë, Albanese theksoi se Australia do të veprojë në përputhje të plotë me interesin e saj kombëtar. “Jemi një vend sovran dhe vendimet tona do të bazohen në interesat e Australisë,” theksoi ai.
