Inteligjenca gjermane ngre alarmin për ekstremistët pro-iranianë në Evropë

Inteligjenca gjermane ka zbuluar një rritje të ndjeshme të kërcënimit nga ekstremistët pro-iranianë në Gjermani dhe vende të tjera evropiane, duke vënë theksin sidomos te grupi “Harakat Ashab al-Yamin al-Islamiya” (Hayi).

Këtë informacion e bëri të ditur Zyra Federale Gjermane për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV), pas një kërkese nga gazeta “Handelsblatt”.

Agjencia e inteligjencës theksoi se risia qëndron në paralajmërimin e Hayi-t se grupi nuk do të kufizohet më në sulme ‘të zakonshme’, por do të marrë në konsideratë edhe përdorimin e mjeteve më të rrezikshme.

BfV deklaroi se organizata shfrytëzon kanale të ndryshme brenda qarqeve ekstremiste shiite dhe pro-iraniane në platforma të ndryshme të mediave sociale, për të përhapur informacion mbi aktivitetet e saj.

Hayi, kohët e fundit, “ka shprehur qartazi motivet politike që qëndrojnë pas veprimeve të saj dhe ka kërcënuar hapur institucionet izraelite, si dhe të ashtuquajturit ‘armiq të Islamit’ në Evropë,” shtoi raporti.