Në një video fushate të publikuar disa muaj më parë, Zohran Mamdani shfaq aftësi mbresëlënëse me topin, duke treguar se ka luajtur futboll dhe nuk është thjesht një politikan që pozon.

Kryebashkiaku i New Yorkut, duket se nuk është aspak i zakonshëm.

Në video, ai i bën thirrje FIFA-s që të ofrojë 15% zbritje për tifozët lokalë për biletat e Kupës së Botës 2026 dhe të ndalë rritjen dinamike të çmimeve, duke kritikuar “lakminë” e organizatës së drejtuar nga Gianni Infantino.

Organi ndërkombëtar nuk i është përgjigjur këtyre kërkesave dhe biletat për ndeshjet e Kupës së Botës janë bërë jashtëzakonisht të shtrenjta.

Kjo, së bashku me koston e transportit drejt “MetLife Stadium” – rreth 150 dollarë me tren dhe 80 dollarë me autobusët e FIFA-s – e ka shtyrë Mamdanin të njoftojë se pesë bashkitë e qytetit do të kenë “fan zone” falas për të ndjekur ndeshjet.

Ai deklaroi se këto hapësira do të ofrojnë eksperiencën më të përballueshme të mundshme për qytetarët, me aktivitete festive dhe transmetime të ndeshjeve.

Politikani social-demokrat, një tifoz i përkushtuar i Arsenalit, bëri të ditur se qyteti do të investojë 20 milionë dollarë për këto zona tifozësh, të cilat pritet të jenë ndër më të mëdhatë në SHBA gjatë Botërorit 2026.

“Këto evente fillimisht nuk ishin planifikuar të jenë falas, por sporti i botës duhet t’i përkasë botës,” tha Mamdani.

“Futbolli ka lindur nga klasa punëtore. Çmimet që po shohim sot nuk janë të përballueshme për shumë njerëz. Çdo tifoz duhet të ketë mundësinë të ndjekë turneun më të madh pa shpenzuar kursimet e tij”, shtoi ai.

Pesë “fan zone” do të kenë kapacitet nga 5,000 deri në 10,000 persona dhe do të vendosen në vende kyçe si “Rockefeller Center” në Manhattan, kompleksi i “US Open” në Queens, parku pranë “Brooklyn Bridge”, një qendër tregtare pranë “Yankee Stadium” në Bronx dhe një stadium bejsbolli në Staten Island.

Vetëm zona në Brooklyn do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë turneut.

Këto deklarata vijnë në mes të një debati mes autoriteteve në New York dhe New Jersey me FIFA-n për çmimet e transportit drejt “MetLife Stadium”, të cilat janë rritur ndjeshëm nga tarifa normale.

Ndërkohë, ndeshja e parë në këtë stadium do të jetë mes Brazilit dhe Marokut më 13 qershor, ndërsa edhe kombëtare si Franca, Senegali, Norvegjia, Ekuadori, Gjermania, Panamaja dhe Anglia do të luajnë aty, përveç fazave eliminatore dhe finales së turneut./GazetaExpress/