Tahiri (AAK): Procesi për presidentin është manipulim politik, mungojnë votat dhe dialogu

Kreu i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka kritikuar ashpër zhvillimet politike rreth procesit të zgjedhjes së presidentit. Sipas tij, ky proces përbën një manipulim të opinionit publik dhe i mungojnë votat e nevojshme, si dhe dialogu me palët politike.

Tahiri deklaroi se AAK-ja nuk do të bëhet pjesë e atij që ai e quajti “shkatërrim i rendit kushtetues” dhe një procesi që nuk përfaqëson demokraci të mirëfilltë.

“Ne nuk do të bëhemi pjesë e një shkatërrimi të rendit kushtetues, e një spektakli publik me politikë, i cili po zgjat për katër muaj rresht. Këtu jemi, në Kuvend, në zyrat tona, duke e përcjellë me shqetësim të madh, por në të njëjtën kohë edhe me përgjegjshmëri politike si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës,” theksoi Tahiri. “Ky proces, përveç emrit ‘demokraci’ dhe ‘zgjedhje e Presidentit’, nuk ka asgjë të përbashkët me to. Emrin e ka manipulim politik i opinionit publik.”

“Ne nuk duam të jemi pjesë e këtij komploti që po i bëhet shtetit, në asnjë rrethanë,” vazhdoi Tahiri. Ai akuzoi Kryeministrin Albin Kurti se nuk ka vullnet për të zgjedhur presidentin, duke theksuar se po të kishte këtë vullnet, do t’i kishte dhënë mundësinë për diskutim kandidatit të opozitës. “Ai flet për numra, por nuk i ka tetëdhjetë votat e nevojshme.”

Për shkak të mungesës së këtyre votave, sipas Tahirit, emrat e kandidatëve duhet të vijnë nga opozita dhe të diskutohen seriozisht. “Kandidatët nuk duhet të mësohen nga zgjedhja apo mediat, por duhet të dalin nga një burim serioz, nga një diskutim i sinqertë, në rrethana shumë të vështira në të cilat po kalon vendi,” tha ai.

Tahiri kritikoi edhe mënyrën e komunikimit të Kryeministrit. “Si mund të flasë një Kryeministër, dikush që dëshiron t’i japë një zgjidhje Kosovës, përmes mediave, në vend që të ngjitet një kat më lart për të gjetur formën e komunikimit politik me partitë, sidomos me ato opozitare?” pyeti ai.

Ai theksoi se AAK-ja nuk ka qenë e përfshirë në asnjë diskutim lidhur me këtë proces. Megjithatë, sipas Tahirit, partia e tij ka treguar përgjegjshmëri në çështje të rëndësishme shtetërore, si votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Kjo nuk është asgjë tjetër veçse një tendencë për të shmangur përgjegjësinë duke ia hedhur fajin herë njërës palë, herë tjetrës. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka qenë e ftuar në asnjë diskutim, por në asnjë moment nuk i është shmangur përgjegjësisë për të votuar marrëveshjet ndërkombëtare. Dhe ne, në këto rrethana, qëndrojmë këtu, si një parti serioze, me rol shtetformues,” përfundoi Tahiri.