**Skandali i matësve elektrikë: Visar Azemi flet për diferenca kohore deri në 15 orë**
Visar Azemi, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka ngritur shqetësimin se një pjesë e madhe e matësve elektrikë në Kosovë nuk regjistrojnë saktë kohën, duke ndikuar kështu drejtpërdrejt në faturimin e energjisë për konsumatorët. Deklarata u bë në emisionin “DPT te Fidani”.
Azemi ka shpjeguar se hulumtimi i tij nisi rastësisht disa muaj më parë, pasi ai hasi në një matës që dyshonte se kishte problem teknik.
Sipas tij, nëse ora në matësin elektrik nuk është e saktë, konsumatorët mund të paguajnë energjinë me tarifë më të lartë, edhe kur mendojnë se po shfrytëzojnë orarin me çmim të lirë.
“Para katër apo pesë muajsh rastisa në një matës të tillë dhe mendova se me të vërtetë ishte një problem teknik. Fillova të hulumtoja në Ferizaj e Prishtinë, nisa një iniciativë më të madhe dhe personalisht kam parë diku 884 matës. 87 për qind e këtyre matësve nuk e matin saktë kohën. Nëse ora e rregullt është 10 e natës, ora në matës mund të jetë 9:30, ose të shkojë deri në 15 orë diferencë. Kjo ka rezultuar të jetë skandali më i madh i pasluftës,” deklaroi Azemi.
Ai shtoi se Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) merr vendimet për tarifat e energjisë që qytetarët konsumojnë, të cilat ndryshojnë gjatë dimrit dhe verës. “Gjatë dimrit, tarifa e lirë fillon nga ora 22:00 në mbrëmje, ndërsa gjatë verës nga ora 23:00 në mbrëmje,” sqaroi Azemi.
“Të gjitha familjet i përdorin pajisjet shtëpiake duke filluar nga ora 22:00, pasi dallimi në kosto është përgjysmuar. Por, nëse ora në matësin elektrik nuk është saktësisht 22:00, atëherë energjia po llogaritet me tarifën e shtrenjtë,” përfundoi ai.
