Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kritikuar ashpër qeverinë aktuale, duke vënë theksin te përkeqësimi i kushteve të jetesës dhe punës për qytetarët. Ai theksoi se punëtorët përballen me paga të ulëta dhe kosto të lartë jetese, çka e ka ulur ndjeshëm standardin e tyre.

Haradinaj vlerësoi se ndërsa qeveritë e përgjegjshme duhet të punojnë për përmirësimin e kushteve të punëtorëve, ajo aktuale ka vepruar në drejtim të kundërt. Ai theksoi se qytetarët përballen me paga të ulëta, kosto të lartë jetese dhe një standard që mbetet ndër më të ulëtit në rajon.

Ish-kryeministri shtoi se paga minimale është kthyer më shumë në një formë asistence sociale, ndërsa paga mesatare mezi arrin të mbulojë nevojat bazike të një familjeje. Këto vështirësi, sipas tij, janë të njëjta si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, ndërsa presioni ekonomik vazhdon të rritet pandërprerë.

Si pasojë e kësaj situate, Haradinaj theksoi se shumë punëtorë kanë humbur shpresën dhe se të rinjtë e shohin largimin nga vendi si mundësinë e vetme për një jetë më të mirë.

Në përfundim, ai uroi të gjithë punëtorët e Republikës së Kosovës me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës, duke shprehur shpresën për një të ardhme me më shumë dinjitet dhe mundësi brenda vendit.