Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës kritike të Odesës. Një sulm me dron rus gjatë natës dëmtoi infrastrukturën portuale në rajonin jugor të Odesës në Ukrainë dhe plagosi dy persona në qytetin e Odesës, tha të premten guvernatori rajonal Oleh Kiper.

Në qytetin e Odesës, një apartament u shkatërrua plotësisht dhe çatia e një ndërtese 16-katëshe u përfshi nga flakët pas goditjeve ajrore. Në një tjetër pallat të lartë, zjarri përfshiu katin e 12-të, bënë me dije shërbimet e emergjencës.

Autoriteti Portual Detar i Ukrainës konfirmoi se sulme kishte pasur edhe në portet e zonës së Odesës së Madhe dhe përgjatë lumit Danub. Këto sulme shkaktuan dëme në objektet e ankorimit dhe magazinimit, si dhe ndezën zjarre lokale, të cilat megjithatë u vunë shpejt nën kontroll.