**Protestë e Kolektivit Feminist në 1 Maj: “Punëtorët ndërtojnë një Kosovë që nuk u përket atyre”**

Me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist (KMVF) ka bllokuar rrugën pranë Katedrales në Prishtinë. Kjo protestë erdhi si shenjë pakënaqësie ndaj situatës së klasës punëtore, duke theksuar se punëtorët po ndërtojnë një shtet që, sipas tyre, u përket më shumë kapitalistëve, qoftë në sektorin publik apo privat, sesa vetë punëtorëve.

“Punëtorja dhe punëtori sot përballen me një jetë që po bëhet gjithnjë e më e vështirë, duke kryer punë të shumëfishta, pa siguri sociale, me çmime të papërballueshme, shpërfillje shtetërore dhe shfrytëzim nga sektori privat e publik”, thuhet në reagimin e Kolektivit.

Sipas reagimit të tyre, punëtorët jetojnë vetëm për t’u shërbyer “shefave dhe pushtetit politik”.

“Gratë amvisa, të cilat kryejnë punë thelbësore që mundësojnë shfrytëzimin kapitalist, mbeten të stërlodhura dhe pa të ardhura bazë. Pensionistët marrin lëmosha që nuk mbulojnë as barnat. Punëtorët në sektorin privat keqpaguhen, keqtrajtohen dhe madje vriten në vendin e punës. Personat nga komunitetet e margjinalizuara etnike diskriminohen dhe përjashtohen. Gratë punëtore abuzohen seksualisht dhe shtypen në mënyra të shumta. Personat LGBTQI+ shpesh përjashtohen plotësisht nga tregu i punës. Ndërsa personat neurodivergjentë dhe ata me aftësi të kufizuara ose keqpërdoren, ose shndërrohen në objekte marketingu korporativ që kapitali i shfrytëzon për fitim”, thekson Kolektivi.

I gjithë ky diskriminim dhe shfrytëzim, sipas Kolektivit, po ndodh falë një partneriteti të ngushtë midis shtetit dhe kapitalit, të cilët “bashkëpunojnë për të na shtypur dhe shpartalluar”.