Një 42-vjeçar nga Kosova po përballet me akuza të rënda në Zvicër, pas një ngjarjeje që dyshohet të ketë përfunduar me pasoja serioze për bashkëshorten e tij. Rasti lidhet me një incident të ndodhur në korrik 2025 në rajonin e Lenzburgut, ku gruaja ka rënë nga ballkoni i katit të dytë të banesës dhe ka pësuar fraktura të shumta.
Fillimisht, ajo kishte deklaruar se bëhej fjalë për një aksident. Megjithatë, më vonë e ndryshoi dëshminë, duke pretenduar se kishte dalë në ballkon për t’i shpëtuar bashkëshortit, i cili, sipas saj, e kishte kapur për fyti dhe e kishte kërcënuar.
Hetimet mjekësore kanë zbuluar se lëndimet e saj nuk përputhen vetëm me një rënie aksidentale. Janë konstatuar shenja dhune në fytyrë, qafë dhe nofull, përfshirë hematoma dhe gjakderdhje të brendshme.
Sipas dokumenteve të gjykatës, burri dyshohet se e kishte izoluar gruan në banesë, madje duke mbyllur grilat që të mos shihej nga jashtë. Konflikti mes çiftit, sipas dëshmisë së gruas, kishte ardhur si pasojë e xhelozisë dhe kontrollit të vazhdueshëm të telefonit nga ana e bashkëshortit.
Në përpjekje për t’i shpëtuar situatës, gruaja kishte vendosur të hidhej nga ballkoni. Në dosje thuhet se ajo e kishte parë këtë si të vetmen mënyrë për të mbijetuar.
I dyshuari fillimisht i kishte mohuar akuzat, por më pas ka pranuar pjesërisht fajin, duke pranuar se kishte pasur një përplasje fizike dhe se gruaja ishte lënduar gjatë shtrëngimit në fyt.
Prokuroria zvicerane ka ngritur aktakuzë për tentativë vrasjeje me dashje, dhunë të vazhdueshme në familje, kanosje dhe detyrim. Për të kërkohet një dënim prej 10 vjetësh burgim, si dhe dëbim nga Zvicra për një periudhë 13-vjeçare.
I akuzuari ndodhet në paraburgim që nga 10 korriku 2025, ndërsa data e gjykimit ende nuk është caktuar.
