Arrestohet shtetas turk në Aeroportin e Prishtinës, tentoi të udhëtonte në Shtutgart me dokumente të falsifikuara
**Prishtinë** – Policia e Kosovës njoftoi se ka arrestuar një shtetas turk në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, pasi i njëjti tentoi të udhëtonte drejt Shtutgartit të Gjermanisë me dokumente të dyshuara si të falsifikuara.
Sipas raportit të Policisë, ngjarja ka ndodhur më 1 maj 2026, rreth orës 18:30. Shtetasi turk, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, bashkë me anëtarë të familjes, po përgatitej të fluturonte në linjën Prishtinë-Shtutgart. Gjatë kontrolleve rutinë, u konstatua se pasaportat e paraqitura ishin të falsifikuara.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. Rasti është regjistruar si “Falsifikim i Dokumentit” dhe është duke u hetuar.
