**8 RASTE ME FRUTH NË KOSOVË, IKSHPK U BËN THIRRJE PRINDËRVE TË VAKSINOJNË FËMIJËT**

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka konfirmuar tetë raste me fruth në vend, të gjitha të identifikuara te fëmijë të pavaksinuar. Në këtë situatë, IKSHPK dhe institucionet shëndetësore po e monitorojnë me kujdes situatën epidemiologjike, duke qëndruar në gatishmëri të plotë për menaxhimin e saj, si dhe u kanë bërë thirrje urgjente prindërve të vaksinojnë fëmijët e tyre.

Për të frenuar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes, po punohet në identifikimin e fëmijëve të pa vaksinuar dhe po angazhohen ekipe mobile për kryerjen e vaksinimit në zonat me mbulueshmëri më të ulët.

Sipas IKSHPK-së, fruthi është një sëmundje serioze dhe jashtëzakonisht ngjitëse, vlerësuar të jetë rreth gjashtë herë më virulente se gripi sezonal. Ekspertët theksojnë se një në pesë persona të infektuar me fruth mund të zhvillojnë komplikime serioze shëndetësore.

Simptomat tipike të fruthit përfshijnë temperaturë të lartë, rrjedhje të hundës, kollë të fortë, sy të skuqur dhe të përlotur, si dhe shfaqjen e një skuqjeje karakteristike në fytyrë e më pas në gjithë trupin.

Për të minimizuar rrezikun nga përhapja e fruthit, vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për mbrojtjen e shëndetit publik.

Besim Murseli, shef i Mjekësisë Familjare nr. 1 në Prishtinë, shpjegoi për RTK-në se “Vaksinimi jo vetëm që ul rrezikun e komplikimeve, por edhe ndihmon në forcimin e imunitetit te fëmijët, veçanërisht ata me imunitet të dobësuar. Ai theksoi rëndësinë e parandalimit të një epidemie, duke shtuar se fruthi prek kryesisht grupmoshat prej 0-12 muajsh, dëmton sistemin respirator, shkakton skuqje në trup dhe dobëson imunitetin.”

Gjithashtu, rekomandohet shmangia e kontakteve të panevojshme me persona që dyshohet se janë të infektuar me fruth.

IKSHPK-ja rikujton se çdo vonesë në vaksinim e rrit ndjeshëm rrezikun për përhapje të mëtejshme dhe për komplikime serioze, sidomos te fëmijët dhe individët me imunitet të dobësuar.