Haxhiu: Serbia Kreu Gjenocid dhe Spastrim Etnik në Kosovë
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se ajo që ndodhi në Bukosh 27 vite më parë nuk ishte një ngjarje e izoluar, por dëshmi e qartë e gjenocidit dhe spastrimit etnik të kryer nga Serbia në Republikën e Kosovës. Këto komente Haxhiu i bëri në 27-vjetorin e masakrës së Bukoshit.
“Më 3 maj të vitit 1999, pra 27 vite më parë, nga një kolonë familjesh shqiptare u ndanë 25 civilë të pafajshëm, burra e djem, të moshës nga 5 deri në 85 vjeç. Ata u morën dhunshëm nga familjet e tyre. Familjet, në anën tjetër, u detyruan të vazhdonin rrugën e dëbimit, ndërsa civilët e pafajshëm u vendosën në oborrin e shkollës, pranë mureve të saj, dhe u pushkatuan. Pra, jo në një betejë, jo në një përballje të armatosur, por u vranë dhe u pushkatuan mizorisht, me paramendim. Sot, ne jemi këtu për të nderuar martirët e pafajshëm. Kjo që ndodhi para 27 viteve këtu në Bukosh nuk është rast i izoluar, por është dëshmi e gjenocidit dhe spastrimit etnik të kryer nga Serbia në Republikën e Kosovës,” u shpreh ajo.
Sipas Haxhiut, qëndresa e shqiptarëve të Kosovës, guximi dhe bindja e tyre për të qëndruar të fortë, e ka detyruar Serbinë të tërhiqet. Ajo shtoi se lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qëndresa e popullit dhe mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë përmes ndërhyrjes, kanë bërë që Kosova të çlirohet, të jetë e lirë dhe e pavarur.
“Ne sot nderojmë martirët e pafajshëm, duke qëndruar kundër dhunës dhe padrejtësisë. Shumë prej kryerësve të kësaj masakre ende nuk janë ndëshkuar, por ata shërbejnë si dëshmi se populli ynë është i fortë përballë sfidave. Sot jemi këtu edhe përkrah familjeve, lavdi dëshmorëve dhe martirëve të luftës. Si institucione të Republikës së Kosovës, angazhohemi vazhdimisht për të adresuar drejtësinë, sidomos në rastet kur bëhet fjalë për krimet e luftës. Nuk mund të vazhdojmë pa drejtësi për të rënët tanë. Kudo që shkojmë, kërkesa e familjarëve është që të ketë drejtësi për këto raste,” theksoi Haxhiu.
Haxhiu tha se ka ende shumë krime të pahetuara dhe të pagjykuara, pasi Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës. “Andaj, përkundër faktit që së fundmi ka pasur përparime në këtë drejtim, shumë krime të kryera në Kosovë nga Serbia mbeten pa drejtësi. Prandaj, u bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë që të vazhdojnë punën, angazhimin, hetimin dhe ndjekjen penale, si dhe gjykimin e kriminelëve të luftës,” përfundoi Haxhiu.
