Kosova duhet ta ketë prioritet kryesor anëtarësimin në NATO si garanci për paqe dhe siguri në kontekstin aktual gjeopolitik.
Kështu, tha drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, në një intervistë për Ekonomia Online.
Ai e cilësoi iniciativën e kongresistëve amerikanë për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në NATO si një mesazh të qartë për rrugën e paqes në Ballkanin Perëndimor.
“Është mesazhi më i qartë që reflekton qartësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rrugën e paqes në Ballkanin Perëndimor. Republika e Kosovës duhet ta ketë prioritetin kryesor anëtarësimin në NATO, si garanci në kontekstin e rivaliteteve dhe përplasjeve aktuale gjeopolitike në botë, për shkak se pas bordit të paqes, pas miratimit të dërgimit të FSK-së në forcën stabilizuese ndërkombëtare për Gazën dhe pas një varg hapash konkretë strategjikë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me iniciativën e tre kongresmenëve në Dhomën e Përfaqësuesve, realisht kemi të bëjmë me qartësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për hartën e rrugës që garanton paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor në kontekstin e burimit të destabilitetit dhe kërcënimeve të vazhdueshme që vijnë nga Serbia si aktor destabilizues në Ballkan dhe nga rreshtimi i saj me Rusinë në kuadër të politikës revizioniste”, tha ai.
Fetoshi theksoi se Forca e Sigurisë së Kosovës është drejt përmbylljes së kapaciteteve operacionale dhe po afirmohet si faktor i rëndësishëm në skenën ndërkombëtare.
“Besoj që tashmë ushtria e Kosovës, e cila është në fazën e fundit të arritjes së kapaciteteve operacionale, duke pasur parasysh marrëdhënien strategjike të ndërtimit të saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përbën mesazhin më të rëndësishëm afirmativ për Republikën e Kosovës në skenën ndërkombëtare, duke qenë faktor i paqes krah aleatëve në një mision shumë të rëndësishëm ndërkombëtar dhe kjo është më e rëndësishme sesa vetë kapacitetet e saj ushtarake, për shkak se të qenit pjesë e një aleance të tillë ndërkombëtare në një mision kaq të rëndësishëm të ndërtimit të paqes në zonën më të nxehtë dhe më problematike të botës e afirmon FSK-në si faktor shumë të rëndësishëm dhe me kontribut të jashtëzakonshëm për paqen globale”, tha ai.
Duke folur për sfidat e anëtarësimit, ai theksoi pengesën që paraqet mosnjohja e Kosovës nga katër shtete të NATO-s, por shtoi se kjo mund të tejkalohet me mbështetjen e aleatëve.
“Është e vështirë, procedura e anëtarësimit natyrisht që është sfidë dhe prandaj unë e quajta qartësi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rrugën e paqes në Ballkanin Perëndimor. Natyrisht, përtej aspektit në qoftë se gjasat reale janë që të tejkalohen pengesat ose jo në këtë moment, ajo çka është e rëndësishme është që Kosova duhet të fokusohet në prioritetin më të rëndësishëm strategjik, që është anëtarësimi në Aleancën Veriatlantike. Pra, pengesa ekziston, por me mbështetjen e aleatëve, nëse SHBA do ta konsiderojnë me prioritet këtë çështje, unë mendoj që do të mund të gjenden zgjidhjet që të tejkalohet pengesa e mosnjohjes nga katër shtetet anëtare të NATO-s, për ta përafruar më shumë Kosovën në Aleancën Veriatlantike”, tha ai.
Ndërkohë, tre kongresistë amerikanë kanë prezantuar një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve që shpreh mbështetje të fortë për integrimin e Kosovës në NATO.
Rezoluta thekson se qeverisja demokratike e Kosovës, mbikëqyrja civile e forcave të sigurisë dhe bashkëjetesa multietnike përbëjnë bazë të fortë për anëtarësim, ndërsa shton se përfshirja e Kosovës në aleancë do të shërbente si kundërpeshë ndaj përpjekjeve destabilizuese në rajon.
Në të njëjtën kohë, në rezolutë u bëhet thirrje katër shteteve anëtare të NATO-s – Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Spanjës – që të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre ndaj Kosovës, duke theksuar se njohja më e gjerë është thelbësore për avancimin e saj drejt Aleancës Veriatlantike.
